Zhdukja e Ervis Martinajt, Çuçi: Do merrni përgjigje vetëm kur të ketë një provë të fortë. Policia nuk ka një shkop magjik…

Shpërndaje

Ministri Bledi Çuçi gjatë konferencës mbi arritjet dhe objektivat e Ministrisë së Brendshme u ndal dhe te fati i “bosit të lojërave të fatit”, Ervis Martinaj.

Ministri tha se në lidhje me rastin po vijojnë hetimet dhe se policia do të japë një përgjigje në momentin që të ketë prova juridike mbi atë çfarë ka ndodhur.

Ai tha se nuk ka një shkop magjik për të zbardhur menjëherë çfarë ka ndodhur me një personazh kaq të komplikuar të botës së krimit.

“Ka pasur një vëmendje të posaçme për të zbardhur gjithë këtë mjegull që është ngritur mbi fatin e Ervis Martinaj. Policia jo vetëm që bën punën për ta zbardhur këtë ngjarje por dhe ka komunikuar me publikun për këtë gjë.

Ju keni qenë të informuar gjatë gjithë kësaj periudhe për veprime të ndryshme policore që kanë të bëjnë me zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia vepron sipas ligjeve dhe ka përgjegjësi ligjore për të deklaruar jë fakt të caktuar qoftë juridik, ose jo juridik.

Nga policia ju do të merrni një përgjigje përfundimtare deri sa të ketë një provë të fortë se çfarë ka ngjarë me këtë personazh. Pastaj pjesa e thashethemeve e llafeve dhe e skenarëve ato janë çështje dhe është i lirë, çdokush t’i bëjë, por nuk janë çështje e policisë.

Nuk ka një shkop magjik që zbardh menjëher një situatë të caktuar kriminale aq më shumë me një personazh kaq të komplikuar të botës së krimit”, tha Çuçi.

Shpërndaje