Vazhdon të mbetet e pazbardhur çështja e zhdukjes së sipërmarrësit italian Davide Pecorelli i cili prej datës 6 janar 2021 ka humbur gjurmët në Shqipëri.
Automjeti i tij u gjet i djegur në afërsi të qytetit të Pukës, brenda të cilit dhe disa objekte personale të italianit si dhe kocka njerëzore që po ekzaminohet nga Policia shkencore e Romës.
Mediat italiane kanë shpërndarë sot lajmin se në Shqipëri po hetohet në pistën për rrëmbim personi.
Autoritetet shqiptare kanë dyshime të forta se Davide Pecorelli është rrëmbyer në Shqipëri e më pas i është djegur automjeti.
Sipas medias italiane në Shqipëri janë marrë në pyetje 13 persona të cilët kanë pasur kontakte me Davide Pecorellin gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.
13 personat janë banorë, në Durrës, Tiranë e Shkodër.
Gjithashtu gjatë kontrollit në dhomën e hotelit në Pukë, ku Davide ka qëndruar dy net, është gjetur një çantë jeshile me një palë çelësa, disa dokumente, shampo e një kartë shqiptare telefoni.
Media italiane shkruan se ka mundur të lexoj materialin e hartuar nga hetuesit shqiptarë të cilët i kërkojnë ndihmë juridike Prokurorisë së Romës në rastin e vrasjes së një shtetasi italian në një territor të huaj, pra Shqipëria, e duke hipotezuar akuzat e rrëmbim personi e djegie e qëllimshme e automjetit të sipërmarrësit italian.
Në dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, mjeku ligjor shqiptar në relacionin e tij shkruan se kockat humane janë gjetur përdhe të shparsura, në anën e shoferit.
Bëhej fjalë për kocka të gjymtyrëve të sipërme e të poshtme, pjesë brinjësh e pjesë kafke.
Analizimi i këtyre kockave në Shqipëri nuk ka mundur të zbardh profilin gjenetik të tij e ka stabilizuar vetëm se bëhet fjalë për kocka njeriu, mashkull i moshës 40-50 vjeç. Për identifikimin e profilit të tij gjenetik autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekspertizën e Policisë shkencore të Romës.
Në automjetin e djegur është gjetur i dëmtuar pjesërisht dhe telefoni celular i Davide Pecorelli.
Paralelisht Prokuroria e Perugias ka hapur një dosje hetimore për vrasje e trafik droge kundër personave të panjohur.
Ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese për të zbardhur fatin e italianit të zhdukur Davide Pecorelli.
Policia shkencore e Romës pritet të zbardh profilin gjenetik të kockave të gjetura pranë automjetit të djegur duke i dhënë përgjigje pyetjes; Janë apo jo të sipërmarrësit italian?