Zhduket në Shqipëri ish-arbitri italian, iu gjet makina e djegur në Pukë…

Ish-arbitri italian, Davide Pekoreli është zhdukur prej më shumë se 10 ditësh në territorin e Shqipërisë. Gazeta italiane, La Nazione, në një shkrim dedikuar biznesmenit italian shkruan se 45-vjeçari u zhduk pa lënë gjurmë pasi kishte marrë me qera një automjet “Skoda”.

Sipas medias italiane, Pekoreli është zhdukur në Shqipëri në rrethana shqetësuese. Automjeti është gjetur i djegur në zonën e Gjegjanit (Pukë), ndërsa brenda makinës janë gjetur disa mbetje, për të cilat ka dyshime se mund të jenë mbetje njerëzore, por që nuk janë identifikuar akoma.

La Nazione vijon artikullin duke shkruar se autoritetet shqiptare ende nuk kanë të dhëna të plota për Pekorelin, ndërsa ngjarja po hetohet në vazhdim. Policia ka njoftuar familjarët e tij duke kërkuar të dhëna plotësuese.

Davide Pecorelli, njihet si sipërmarrës. 45-vjeçari zotëron një hotel në Lama, në komunën e San Giustino, qendrat e bukurisë dhe parukeritë midis Tiberit të Epërm dhe Valtiberinës. Aktivitete, të cilat po përballen me një moment të vështirë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Por Pecorelli, ka ushtruar dhe profesionin e arbitrit. Ai ka arbitruar gjatë karrierës në Serinë C italiane, si dhe ka shërbyer si arbitër i katërt në Serinë A.

Sipas mediave italiane, 45-vjeçari kishte mbërritur në Shqipëri në 7 janar./Opinion.al