39 fëmijë shqiptarë janë zhdukur nga qendrat e pritjes në britani pasi kanë mbërritur ilegalisht atje të pashoqëruar. Denoncimi është bërë nga BBC në një artikull për fluksin e shqiptarëve që emigrojnë ilegalish drejt anglisë. Sipas shifrave numri i personave që kanë hyrë ilegalisht në vend gjatë këtij viti është dyfishuar.
Emigrimi masiv i shqiptarëve në rrugë ilegale drejt Britanisë po shoqërohet me shifra shqetësuese të zhdukjes së fëmijëve.
BBC thekson në një artikull se pothuajse 20% e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga Shqipëria, kanë humbur gjurmët.
Humbja e kontakteve ka ndodhur pas zbritjes së të miturve në token britanike pasi ata ishin vendosur në qendrat e pritjes.
Deri në 31 tetor, autoritetet britanike kanë marrë 197 fëmijë shqiptarë, ndërkohë për 39 prej tyre nuk ka më asnjë gjurmë.
Një organizëm që bën fushatë për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi, thksoi se këto shifra janë tejet shqetësuese.
Sipas BBC, shifrat e qeverisë britanike, të mbledhura nga BBC tregojnë se mbi 44 mijë persona kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla gjatë këtij viti krahasuar me rreth 28.400 persona që mbërritën vitin e kaluar.
Shifrat e larta të këtij viti shkaktuan mbipopullimin e qendrës së pritjes Manston në Kent, ku u grumbulluan rreth 4000 njerëz, sa dyfishi i kapacitetit.
BBC thekson më tej se për Këshillin e Qarkut të zonës, zhdukja e 39 fëmijë shqiptarë të cilët ishin marrë në ngarkim, duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese.
Çështja e kalimit illegal të emigrantëve shqiptarë në Britani është kthyer në temë debati gjatë këtij viti ndërkohë që fluksi i lartë, detyroi autoritetet e Londrës që të kërkojnë bashkëpunimin e policisë kufitare franceze me qëllim parandalimin e fenomenit që në zonën e nisjes së mjeteve lundruese që kalojnë kanalin e La Manshit drejt tokës angleze.