Zgjedhjet në Turqi dhe ekuilibri i forcave në Ballkan!…

Shpërndaje

Nga: Marlind Laci

*Duke u nisur nga zgjedhjet presidenciale në Republikën e Turqisë në raport me rezonancën e vizionit politike turk mbi gadishullin e Ballkanit dhe jo vetëm.

Prej ditësh populli turk dhe jo vetëm po pret ethshëm fundin e fushatës elektorale mbi zgjedhjet e dyta presidenciale e parlamentare që pas ndryshimeve kushtetuese të mundësuara pas referendumit të mbajtur në vitin 2017, ku roli presidentit u transformua në postin më të pushtetshëm të jetës politike në Republikën e Turqisë. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen mbas pak ditësh më 14 maj, shënjojnë sfidën më të madhe politike pas jubileut të 100 të krijimit të Republikës së Turqisë dhe firmosjes së Traktatit të Lozanës, ku Turqia si trashëgimtare e Perandorisë Osmane doli e kapitulluar bashkë me aleatët e Fuqive Qëndrore nga Lufta e Parë Botërore që solli edhe demontimin e Perandorisë Osmane.

Pas 20 vitesh Republika e Turqisë është transformuar nga një vend periferik i defaktorizuar në fushën ekonomike e diplomatike të skenës ndërkombëtare në një shtet me potenciale e burime të jashtëzakonshme ekonomike, me një revolucionarizim epokal të industrisë ushtarake, dhe me një sjellje “par excellenc”në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke luajtur rolin e një faktori stabilizues e paqëtues për botën, në luftën serioze kundër terrorizmit (pa harruar këtu edhe asistencën humanitare karshi refugjatëve të luftës në Siri), duke marrë përsipër barrën e rëndë të gjuhës së arsyes dhe jo barrën e lehtë të gjuhës së forcës, nën lidershipin e Presidentit Erdogan, Ankaraja zyrtare asistojë si një faktor i rëndësishëm në rajon për të ulur tonet e retorikës “atomike” të Moskës dhe Perëndimit, ku kështu diplomacia turke manifestoi nivelin më të lartë të parimeve vestfaliane duke mbajtur peshën kryesore mbi izolimin e konfliktit ruso-ukrainas në raportin ekonomik botëror me anë të marrëveshjes për “korridoret e grurit” dhe duke zënë një pozicion tepër solid në projektimin e ardhshëm të “Rendit të Ri Botëror”. Presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan, kërkon të votëbesohet nga populli turk dhe për 5 vitet e ardhshme si kryetar i Republikës së Turqisë duke patur përballë kandidatin e opozitës së bashkuar dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Popullore Republikane (CHP) Kemal Kılıçdaroğlu.
Duke ju referuar të përditshmes prestigjioze amerikane ‘Washington Post’, në një artikull kjo gazetë i cilësonte zgjedhjet presidenciale në Republikën e Turqisë si zgjedhjet më të rëndësishme përgjatë vitit 2023 për të ardhmen e të gjithë projeksioneve ndërkombëtare në glob, ku ndër të tjera “Washington Post” shprehej se : “Ajo që ndodh në Turqi, nuk mbetet vetëm në Turqi. Turqia mund të jetë një fuqi e mesme, por fuqitë e mëdha kanë interesa në zgjedhjet e saj”.
Duke vijuar me logjikën e goditur të gazetës “Washington Post” rezultati i zgjedhjeve në Republikën e Turqisë do të ndikojë më së tepërmi në gjeopolitikën ballkanike ku edhe atmosfera toksike konfliktuale ekziston në një masë të madhe sidomos midis serbëve si palë dhunuese dhe shqiptarëve, si palë e dhunuar. Në këtë krizë diplomatike me emrin “Zajednicë”, të shtyrë edhe nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, nën tezën “Quid Pro Quo”, shqiptarëve u kërkohët të sakrifikojnë tokë në emër të ngopjes së orekseve shoviniste serbe që Serbia mos të jetë më vetëm “gruaja e përbetuar e Rusisë”, por herë pas here të “flirtojë” edhe me Perëndimin.
Sigurisht, për vizionin e Republikës së Turqisë dhe Presidentit Erdogan, si një shtet përgjegjës për fatet e muslimanëve të Ballkanit (dhe jo vetëm) nuk do të cilësohej fitore diplomatike sprapsja gjeografike për nga Stambolli e vijës së “Përplasjes së Qytetërimeve” ku faktori sllavo-ortodoks do kalonte në epërsi të thellë politike e diplomatike mbi faktorin shqiptaro-islam me zhvendosjen e kësaj vije politiko-kulturore me kahje nga Lindja me anë të themelimit të asosacionit të komunave serbe në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu nuk duhet lënë pa u rikujtuar edhe tentativa për të “zajednicizuar” jugun e Shqipërisë, ku me 22 dhjetor 2022 kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ekzaltuar edhe nga thirrjet histerike separatiste “Greqi na mbulo edhe ne” ndër të tjera në një fjalim që të kujtonte fjalimin famëkeq të Sllobodan Millosheviçit në ditën e Vidovdanit më 1989, kryeministri grek shprehej se : “Qeveria greke do të jetë pranë jush në përmbushje të të drejtave të kombësisë, mësimit në gjuhën greke të fëmijëve tuaj dhe të drejtat tuaja pronësore. Betohem se do t’i mbroj të gjitha të drejtat tuaja”, duke lënë të nënkuptohej se shkelja imagjinare e të drejtave të minoritetit grek në jugun e Shqipërisë do të përbënte një “casus belli”.
Duke qenë të vetëdijshëm për rreziqet që i kanosen dy shteteve shqiptare në Ballkan nga veriu Serbia e nga jugu Greqia, një Turqi e fortë përkthehet në një faktor shqiptar të sigurt e të konsoliduar në rajon. Kjo Turqi e fortë dhe serioze në arenën ndërkombëtare i atribuohet vetëm një lider vizionar si Recep Tayyip Erdogan.
Në këtë kontekst shpreh bindjen se shqiptarët e Turqisë apo arnautët, siç thirren aty, që përfaqësojnë komunitetin me numrin më të madh të shqiptarëve në botë, ashtu siç kanë dëshmuar do të jenë të orientuar në mbështetje të këtij vizioni, duke qendruar në të njejtën rezonancë me interesat e vëllezërve të tyre shqiptarë në rajon.
Shpresojmë e urojmë për zgjedhjen më të mirë e më të mençur për popullin miqësor e vëllazëror turk.

Shpërndaje