Zgjedhjet e 6 marsit/ PS Shkodër: Voltana Ademi nuk ka shpallur listat e zgjedhësve sipas vendimit të KQZ, të respektojë detyrën dhe të mos bëhet pengesë për procesin

Shpërndaje

Nisin përplasjet e para politike në Shkodër për zgjedhjet e 6 marsit. Partia Socialiste në Shkodër ka akuzuar sot kryetaren në detyrë të Bashkisë Voltana Ademi se nuk ka miratuar dhe shpallur listat e zgjedhësve sipas vendimit të KQZ. Sipas PS, Shkodër, Bashkia është jashtë afateve ligjore.

Zëdhënësi i PS Shkodër Erion Metushi i bëri thirrje Ademit të miratojë e shpallë menjëherë listat dhe të mos bëhet pengesë për procesin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e datës 22 janar 2022 ka miratuar afatet për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie që do zhvillohen më 6 mars, ku në pikën numër 3 të njoftimit zyrtar për afatet nga KQZ shkruhet: Zyrat e Gjendjes Civile hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 janar 2022. Ndërkohë që brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit kryetarët e njësive vendore i miratojnë dhe i shpallin listat sipas nenit 48 të Kodit Zgjedhor. Bashkia Shkodër, që në nisje të këtij proceci është jashtë afateve ligjore. Listat duhet të ishin miratuar dhe shpallur që ditën e enjte datë 27 janar, por dhe pas 24 orëve ky detyrim nuk është përmbushur.

Partia Socialiste Shkodër i bën thirrje znj. Voltana Ademi që të respektojë detyrën që Kodi Zgjedhor i ngarkon. Të miratojë dhe shpallë menjëherë listat e zgjedhësve dhe të mos bëhet pengesë, në mbarëvajtjen e këtij procesi. Gjithashtu ftojmë institucionet dhe palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kreun e bashkisë Shkodër, që të jenë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari”, deklaroi Metushi.

Shpërndaje