Zbrazet spitali COVID-4, Manastirliu: Rastet kanë rënë, por lufta nuk ka mbaruar…

Shpërndaje

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar ditën e sotme se si pasojë e uljes së rasteve me COVID, spitali COVID-4 është zbrazur. Gjatë një takimi me mjekë të spitalit Infektiv ajo deklaroi se kjo strukturë dhe mjekët që shërbenin atje do vijojnë të jenë në gatishmëri në rast të shtimit të numrave.

Manastirliu tha se beteja me pandeminë nuk ka mbaruar ende pasi ka sërish raste të rënda të infeksionit, ndërsa siguroi edhe njëherë mjekët dhe infermierët se bonusi për ta do të vazhdojë të jepet deri në ditën e fundit të pandemisë.

“Ju falenderoj për punën dhe impenjimin në këto muaj të vështirë. Përmes jush dhe qytetarëve, asgjë nuk ka mbaruar ende, Edhe tek ne COVID është ende prezent. Ka raste të rënda të shtruara. Një prej spitaleve COVID është zbrazur sepse ka rënë numri I pacientëve që trajtohen për këtë sëmundje. Kjo nuk do të thotë që personeli nuk është në gatishmëri. Në momentin kur mund të kemi rritje të rasteve COVID-4 do jetë në gatishmëri.

Numri i pacientëve në spitale ka pësuar rënie. Jemi në një situatë të kontrolluar të epidemisë. Do doja ta kishim këtë moment si moment rigjenerimi kur stafet të marrin kohën e tyre për të pasur sa më shumë forcë. Duhet të shfrytëzojmë burimet që kemi mes nesh. Për mjekët dhe infermierët do vazhdojë mbështetja me bonusin special deri në fund të pandemisë. Do të jetë deri në ditën e fundit.

Do ia dalim sepse kemi fuqinë, edhe kurajon për të përballuar të gjitha sfidat që deri tani na kanë dalë përpara. Ne përballuam me sukses falë jush. Për këtë do jua them edhe mot falenderimin dhe mirënjohjen që kam për ju, Lufta nuk ka përfunduar. Do kërkojë kohën e vet. Vaksinimi do e sjellë rezultatin e vet. Nuk do ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Ky është objektivi unë për verën e ardhshme”, tha ministrja.

Shpërndaje