Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për faljen e gjobave të vendosura nga viti 2015 dhe të paekzekutuara ende.
40 deputetë socialistë kanë firmosur draftin i cili prek ata që janë gjobitur për ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi deri te personat e gjobitur gjata pandemisë për shkelje të rregullave anti-covid.
Në projektligj theksohet se anulohen “të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qendror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të nenit përfitojnë “të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë”.