ZANAFILLA/ “Kam punë me anglezin, jo me ju”, presioni i Astrit Prengës që çoi të vëllanë në duart e pengmarrësve

Shpërndaje

Zbardhen detaje të tjera nga dosja e prokurorisë së Tiranës, lidhur me pengmarrjen në 17 janar 2020 dhe më pas zhdukjen pa gjurmë të Jan ose Stiljan Prengës në Kamëz. Në dosjen e prokurorisë thuhet se zanafilla e gjithë konfliktit ka qenë pikërisht në Angli, ku njëri nga 5 vëllezërit Prenga, Astrit Prenga, jeton në këtë shtet. Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, Astrit Prenga kontraktohej nga një anglez, për nxjerrjen e sasie kokaine që vinte nga Ekuadori në drejtim të portit të Portsmuthit. Anglezi e ka përdorur disa herë Astrit Prengën për të nxjerrë lëndën narkotike nga porti, por në një rast nuk ka qenë i rregullt me pagesën. Herën e fundit kur anglezi e ka kontraktuar për të nxjerrë drogën nga porti dhe futur në territorin anglez, ka qenë në muajin dhjetor 2019, kur i ka kërkuar Astrit Prengës, të nxjerrë sasinë prej 283 kg lëndë narkotike të ardhur nga Ekuadori.

Kjo punë do të kryhej, kundrejt një pagese financiare. Astrit Prenga ka arritur të nxjerrë lëndën narkotike së bashku me një person shqiptar të quajtur Xhulian (Gëzim Shullani) dhe një rumun, por Prenga i vendosi kusht anglezit, që të paguante jo vetëm vlerën e punës që kishte kryer këtë herë, por edhe vlerën e prapambetur. Prenga ka kërkuar që anglezi të përgjigjej edhe për pagesat e episodeve të tjera, pasi në të kundërt droga nuk do i dorëzohej asnjëherë. Anglezi që në këtë rast ka qenë pritësi i 283 kg kokainë është përpjekur për ta zgjidhur privatisht situatën me Astrit Prengën, por sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, Prenga këmbëngulte për t’u shpaguar nga anglezi për pjesën tjetër të parave. Në pamundësi për t’iu përgjigjur financiarisht Astrit Prengës, anglezi besohet se ka telefonuar në Ekuador dërguesin e kokainës, Dritan Rexhepin. Rexhepi është informuar mbi personin që kishte nxjerrë drogën nga porti dhe vijonte ta mbante peng, me qëllim ngritjen e nivelit të pagesës. Burimet thonë se Rexhepi ka biseduar me Astrit Prengën, duke i pohuar që t’i lironte mallin, pasi e gjithë ngarkesa ishte e tij, dhe Prenga nuk duhet t’ia prekte. Por nga ana tjetër, mësohet se Prenga i është përgjigjur se nuk kishte punë me të, pra me Dritan Rexhepin, por punët i kishte me anglezin që nuk kishte qenë korrekt dhe shpagimin e kërkonte nga anglezi dhe jo nga Dritan Rexhepi. 

Por sërish Rexhepi këmbëngulte se malli ishte i tij dhe disa shokëve të tij nga Shkodra, dhe duhet ta lironte dhe mos e çonte dëm. Këmbëngulja e Prengës ka qenë e prerë, duke vijuar të verë kushtin numër 1, dhe pohuar se nuk kishte asnjë punë me patriotët e tij shqiptarë, por punët i kishte me anglezin, i cili e kishte lënë pa paguar. Si pasojë e mbajtjes peng të sasisë prej 283 kg kokainë dhe me qëllim për të baraspeshuar presionin, prokuroria ka dyshime të forta se Dritan Rrexhepi dhe Gentian Doçi kanë dakordësuar me Altin Hajrin në Shijak, për të krijuar kushtet dhe marrë peng njërin nga vëllezërit Prenga në Shijak, dhe pikërisht është zgjedhur Jan apo Stilian Prenga, vëllai i madh i vëllezërve Prenga. Jan Prenga, i pa përfshirë në asnjë histori kriminale bëhet objektivi i sulmit për t’u marrë peng. Grupi që do ekzekutonte urdhrin e ardhur nga Ekuadori, ishte pikërisht në zonën e Shijakut, ku më së pari banda është përgatitur të krijojë logjistikën e mundshme, që do përdorte për të rrëmbyer Jan Prengës.

Në Tiranë, anëtarët e grupit kanë vjedhur një mjet “Range-Rover”, në pronësi të një këngëtare tallavaje. Dhe pa kaluar shumë kohë, ata në 17 janar 2020 në Kamëz kanë rrëmbyer me dhunë dhe duke përdorur thika vëllain e madh të familjes Prenga, Jan Prenga. Qëllimi ishte për të baraspeshuar presionin dhe situatën, por jo vrasja. Grupit në Shqipëri i ka dalë totalisht situate jashtë kontrollit, pasi në vend që ta merrnin peng ata e kanë vrarë Jan Prengën. Astrit Prenga dhe vëllai tjetër Admir Prenga, dyshohet se ka biseduar me Dritan Rexhepin dhe Gentian Doçin, duke i kërkuar llogari se ku i kishin çuar vëllanë, por besohet se ata i kanë pohuar se e dinin vendin se ku ndodhej por ata njerëzit në Shqipëri, i kishin dalë nga fjala. Shumë shpejt kjo dosje do ti kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deri në këto momente janë shpallur në kërkim 10 persona, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar dhe lënë në burg sot nga gjykata e Tiranës.

Marrë nga Shqiptarja.com

Shpërndaje