Veshja më e hershme dhe identifikuese popullore shqiptare, xhubleta, është në rrezik zhdukjeje.
E trashëguar prej rreth 4000 vjetësh, sot kjo veshje realizohet nga shumë pak njerëz. Etnografja Afërdita Onuzi, tregon specifikat që kërkon punimi i një xhublete.
“Është e rrezikuar për vetë specifikën e saj sepse kërkon një material dhe ca faza përgatitore të vështira për të cilat mungon dijebërja. Brezi i grave që dinë ta bëjnë xhubletën janë shumë të rralla, të moshuara. Por mesa di unë ato janë të gatshme që t’ja u lënë brezave ashtu siç kanë lënë dhe xhubletën.”
Megjithatë, xhubleta, e rrënjosur në alpet e Shqipërisë, ruhet me fanatizëm nga banorët, e pandryshuar deri në detaje dhe e pacenuar nga ndryshimet.
Një ekspozitë kushtuar xhubletës, por edhe të gjithë elementëve përbërës të kësaj veshjeje eshte hapur sot në ambientet e Institutit të Antropologjisë.