Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së njohur shkodrane, Kuçi, ku njëri nga djemtë e saj, Hamzai, pasi ishte shkolluar në Kolegjin Françeskan të qytetit të Shkodrës, në vitin 1912-të u thirr dhe shërbeu si përkthyes dhe ushtarak pranë kryekomandantit të garnizonit turk të Shkodrës, gjeneral, Hasan Riza Pashës që ishte dhe Valiu i atij qyteti, duke luftuar për disa muaj kundër ushtrive serbo-malazeze që mbajtën të rrethuar Shkodrën.
Karriera brilante ushtarake e Hamzait, që pasi fitoi një të drejtë studimi nga Princ Widi, shkoi në një shkollë ushtarake të Vienës në Austri, ku u diplomua me rezultate të larta dhe u kthye në Shqipëri, ku shërbeu në disa detyra të larta si ushtarak i Monarkisë me gradën e majorit, deri sa Mbreti Zog në vitin 1935, e dekretoi si anëtar të Gjykatës së Lartë ku ai punoi deri në prillin e 1939-ës kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë dhe e internoi atë në Montova Gittadela në Libi.
Arrestimi e burgosja e tij nga komunistët me 15 vjet në burgun e Burrelit, nga ku ai u lirua në vitin 1960-të, dhe arratisja e të birit të tij, Selimit, në vitin 1963 nga liqeni i Shkodrës me anë të një varke të vogël me katër shokë të tjerë pa rënë në sy të Sigurimit të Shtetit dhe pa u diktuar nga rojet e kufirit, për t’u vendosur fillimisht në Turqi, e më pas në Suedi, nga ku në fundin e viteve ’70-të, ai u vendos në Afrikën e Jugut, në Rodezi pranë Oborrit Mbretëror, ku shërbeu si truprojë e Mbretit Leka i Parë, si dikur i ati, Hamza, pranë Mbretit Zog. Kthimi i Selimit pas viteve ’90-të në qytetin e Shkodrës, kur nuk i kishin mbetur vetëm pak muaj jetë, për t’u prehur përgjithmonë në vendlindjen e tij…
“Nisur nga trajtimi që i bëhej familjes sonë nga regjimi komunist për shkak të gjyshit, Hamza Kuçi, që kishte vuajtur 10 vjet në burgun politik të Burrelit, për arsye se kishte shërbyer për shumë vite si ushtarak i Monarkisë së Zogut me gradën e majorit dhe gjithashtu si anëtar i Gjykatës së Lartë të Mbretërisë, e ardhmja e babait tim, Melekut dhe xhaxhait, Selimit, apo siç njihej ndryshe ai, Javuzi, dukej tepër e zbehtë dhe fare e pashpresë. Në këtë kushte, xhaxhai im, Selimi, vendosi që të arratisej nga Shqipëria, gjë të cilën e realizoi në vitin 1963, ku së bashku me katër shokë të tjerë, me anë të një varke të vogël, ikën nga liqeni i Shkodrës dhe dolën në anën tjetër, në Malin e Zi të Jugosllavisë së asaj kohe, për të përfunduar më pas si azilant politik fillimisht në Turqi tek tezet e tija që ishin martuar te familja Zagolli dhe më pas në Suedi, për të përfunduar në Rodezinë e Jugut, pranë Oborrit Mbretëror të Leka Zogut, ku shërbeu për vite në Gardën Mbretërore të tij”.
Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al, është Gëzim Kuçi nga qyteti i Shkodrës (i diplomuar për Fizikë dhe Ekonomi), trashëgimtari dhe pinjolli i vetëm i asaj familje qytetare shkodrane, i cili rrëfen të gjithë historinë e të parëve të tij, nga gjyshi, Hamza Kuçi, major i Monarkisë së Zogut që në rininë e tij pati shërbyer edhe si përkthyes i kryekomandantit të garnizonit turk dhe njëkohësisht Valiut të qytetit, gjeneral Hasan Riza Pashës, gjatë rrethimit të Shkodrës, dhe xhaxhait të tij, Selimit, i njohur ndryshe si Javuzi, i arratisur nga Shqipëri në vitin 1963, për t’u vendosur si azilant politik fillimisht në Turqi e Suedi dhe më pas në Afrikën e Jugut në Rodezi, pranë Gardës Mbretërore të Mbretit, Leka i Parë, ku shërbeu për vite me rradhë.
Hamza, njëri nga katër djemtë e Selim Kuçit
Ndër katër djemtë që pati Selim Kuçi, ai që bëri emër më të madh dhe hyri në historinë e qytetit të tij të lindjes dhe më gjerë, ishte Hamzai, (apo Hamza siç njihej në dialektin shkodran dhe dokumentat zyrtare gjithashtu të periudhës së Monarkisë së Zogut), i cili lindi në qytetin e Shkodrës me 1 prill të vitit 1891 në lagjen Dudas dhe mësimet e para i mori në shkollën “Françeskane” në Shkodër që drejtohej nga viti 1902 e në vazhdim, nga kollosi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta. I cili personalisht, iu mësonte nxënësve të vegjël të atij kolegji, historitë dhe bëmat e Oso Kukës në Kullën e Vraninës, e burrave të tjerë trima dhe të mençur që kishte nxjerrë Shkodra dhe më gjerë Veriu i Shqipërisë, të cilët do të ishin më pas lënda e parë e tij, në veprën e famshme dhe monumentale, “Lahuta e Malsisë”.
Përkthyes i Valiut të Shkodrës, Hasan Riza Pashës
Në vitin 1912-të, kur Hamza ishte në moshën 21 vjeçare, falë edhe disa gjuhëve të huaja që ai kishte mësuar në Kolegjin Françeskan por edhe vetë si autodidakt, ai u thirr nga kryekomandanti i garnizonit ushtarak turk të qytetit të Shkodrës, gjeneral Hasan Riza Pasha, për të shërbyer pranë tij si përkthyes. Në atë detyrë ai u ndodh edhe në fundin e vitit 1912-të dhe muajt e parë të vitit 1913-të, kur ai garnizon nën komandën e gjeneral Hasan Riza Pashës, që ishte njëkohësisht edhe Valiu i qytetit, për disa muaj me rradhë, luftonte kundra forcave ushtarake serbo-malazeze që mbanin të rrethuar Shkodrën me rrethinat. Sipas disa dëshmive, gjë të cilat konfirmohen edhe nga studiuesi dhe historian i njohur, prod. dr. Bajram Xhafa nga qyteti i Shkodrës, Hamz Kuçi, jo vetëm që shërbeu si përkthyes i gjeneral Hasan Riza Pashës, por ai në atë kohë u angazhua dhe luftoi edhe vetë me armë në dorë për mbrojtjen e qytetit, luftë e cila është konsideruar si një faqe e lavdishme e historisë së qytetit të Shkodrës dhe gjithashtu të Shqipërisë në tërësi. Përveç dëshmive të ndryshme, pjesëmarrja e Hamz Kuçit si përkthyes dhe ushtarak në mbrojtje të qytetit të Shkodrës përkrah Hasan Riza Pashës, bëhet e ditur edhe nga disa fotografi të vjetra, por të ruajtura mirë, që disponohen nga familja dhe gjithashtu edhe nga arkivi i fototekës “Marubi” në qytetin e Shkodrës.
Diplomimi si ushtarak në Austri dhe në Luftën e Koplikut
Sipas disa dëshmive dhe dokumenteve arkivore gjithashtu të mbledhura nga pinjolli dhe trashëgimtari i vetëm i kësaj familje, Gëzim Kuçi, me mbarimin e luftës në mbrojtje të qytetit të Shkodrës nga rrethimi serbo-malazez në muajt e parë të vitit 1913-të, për kontributin e tij, Hamza Kuçi do të vlerësohej nga paria e qytetit të Shkodrës dhe me ardhjen e Princ Widit në fillimin e vitit 1914-të, ai do të përzgjidhej dhe do të shpërblehej me një të drejtë studimi për në Austri, ku do të fillonte studimet në një shkollë ushtarake në Vjenë, të cilat do t’i mbaronte me rezultate të larta në vitin 1917, duke fituar gradën e nëntogerit. Gjë për të cilën tregohet qartë edhe nga diploma e tij (që publikohet bashkangjitur këtij shkrimi) që ruhet sot nga familja Kuçi, në qytetin e Shkodrës. Pas kthimit në Shqipëri, Hamza Kuçi u inkuadrua në repartet vullnetarëve shqiptarë në përbërje të ushtrisë austro-hungareze, duke qenë oficer komandues me gradën e nëntogerit. Sipas disa dëshmive, pas Kongresit të Lushnjes, Hamz Kuçi, tashmë me një përvojë jo të vogël si ushtarak i karrierës, u vu në shërbim të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, duke marrë gradën e togerit, ku së bashku me ushtarakë të tjerë nga rrethi i Shkodrës, si: Hamit Gjylbegu, kolonel Rexhep Shala, major Dodë Nikolla, në korrik të vitit 1920-të, morri pjesë në Luftën e Koplikut, ku forcat serbo-malazezë ndërmorrën një intervecion ushtarak në drejtim të Shkodrës. Lidhur me këtë, në një studim të gjatë që ka bërë gazetari dhe studiuesi i njohur nga qyteti i Shkodrës, Kabil Bushati, ndër të tjera shkruan: “Lufta e Koplikut e cila kishte “bekimin” e qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjes nën kryesinë e kryeministrit, Sulejman Delvina, do të fillonte më 27 korrik të vitit 1920 dhe do të përfundonte më 14 shkurt të vitit 1921. Në një dokument arkivor të muajit gusht 1920-të tregohet se nga qyteti i Shkodrës kishin ardhur në frontin e luftës 459 vullnetarë dhe 130 xhandarë të komanduar nga Hasan Bushati, ndërsa në rrethinat kishte 313 vullnetarë që vinin nga: Drishti, Boksi, Suma, Sheldija, Shllaku, Temali, Jubani etj. U krijuan tre batalione me luftëtarë, të cilët komandoheshin nga Sylço Beg Bushati, Hamit Gjylbegu dhe Taip Shkodra. Vullnetarëve të Shkodrës me rrethina u prinin: Shuk Gurakuqi, Muharrem Kazazi, Zef Serreqi, Hamza Kuçi, Qamil Kadri Boksi, Shaqir Omari, Dyl Grizha, Maliq Bushati, Maliq Sokoli, Ndok Gjeloshi, Rasim Gjyrezi, Cuf Kuçi, Man Hoti, Dom Loro Caka, Xhemal Bushati, Abdyl Lluja, patër Ciril Cani, Oso B. Kopliku, Ramo Halluni, Ahmet Bushati, Adem Haxhia e Can Osmani, (Postribë), Vat Sokoli (Shalë), Prek Lula Vuksani, etj.”
Në operacionin për shtypjen e Kryengritjes së Mirditës
Sipas dëshmive të Gëzim Kuçit bazuar në dokumentet arkivore që ai disponon, në tetorin e vitit 1921, Hamza Kuçi morri pjesë në përbërje të forcave ushtarake qeveritare në operacionin për shtypjen e Kryengritjes së Mirditës që ishte shpërthyer nga Kapidani i Oroshit, Gjon Marka Gjoni, i cili nuk pranonte të njihte qeverinë së Tiranës. Lidhur me këtë, sipas disa dokumenteve arkivore, Hamza Kuçi do të ishte njëri prej drejtuesve të njësitit të këmbësorisë me gradën e nëntogerit, detyrë të cilën do ta vazhdonte edhe në vitet në vazhdim, ku karriera e tij si ushtarak erdhi në ngjitje dhe konkretisht në vitin 1922, ai do të ishte toger i një reparti të këmbësorisë, konkretisht për grupin II dhe III te Batalionit S.P.E. Karriera e tij si ushtarak do të kishte përsëri ngjitje, pasi më datën 1 janar të vitit 1925, ai do të emërohej në detyrën e komandantit të Forcave të Këmbësorisë dhe Forcave Vullnetare Civile në rrethin e Shkodrës. Dhe në vijimësi, pak kohë më vonë do të vinte dhe emërimi i dytë i tij, më datën 17 mars të vitit 1925 (sipas urdhërit nr. 291-10 të Kryesisë së Republikës) ai do të caktohet njëkohësisht edhe anëtar i Gjyqit Ushtarak në Shkodër, në vend të kolonel, Muharrem Bajraktarit. (Gjë e cila bëhet e ditur edhe nga Fletorja Zyrtare e vitit 1925). Karriera ushtarake e Hamza Kuçit vazhdoi më tej me detyra dhe emërime të ndryshme shumë të shpeshta, gjë e cila ndodhte pasi ai dërgohej në ato njësi ushtarake ku kishte probleme për të bërë riorganizimin e tyre. Kështu më datën 20 shkurt të vitit 1926-të, Hamzai emërohet si komandant Xhandarmërie i Kurveleshit dhe Fierit, e më 21 janar të vitit 1928, ai gradohet Kapiten i klasit I-rë, duke u emëruar si pjesë përbërëse e trupave të Këmbësorisë në Batalionin e Kufirit, me detyrën e komandantit të kompanisë së pare. Pas pak kohe, ai transferohet përsëri duke u caktuar si komandant i kompanisë së dytë, në Batalionin e VII-të të Këmbësorisë dhe më 12 prill të vitit 1928, ai përfshihet në Batalionin “Shkumbini”, si komandant i kompanisë së dytë”.
Anëtar i Gjykatës së Lartë të Monarkisë së Zogut
Si rezultat i zhvillimeve të ndryshme që ndodhën në Shqipëri me ardhjen e Zogut në pushtet në fillimin e vitit 1925, edhe karriera ushtarake e Hamza Kuçit do të pësonte ndryshime, por gjithnjë në rritje. Lidhur me këtë, nipi i tij, Gëzimi, duke iu referuar edhe dokumenteve arkivore, tregon: “Në vitin 1928 kur Shqipëria do të kthehej nga Republikë në Monarki, gjyshi im, Hamza Kuçi, përveç detyrave ushtarake, do t’i caktohej edhe një detyrë tjetër jo me pak përgjegjësi, duke u përfshirë në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, gjë e cila ndodhi më 21 dhjetor të vitit 1928, duke kaluar kështu në dispozicion të Forcave të Mbrojtjes Kombëtare. Këto vite shënojnë në karrierën ushtarake të Hamza Kuçit, një rritje të vazhdueshme, gjë e cila vinte si rezultat edhe i kontributeve të çmuara të tij, në krijimin e armës së Xhandarmërisë Shqiptare si dhe në reformimin e Ushtrisë Shqiptare në bazë të ligjeve dhe rregullave që kishin asokohe edhe vendet e tjera të Perëndimit. Si rezultat, më datën 19 dhjetor të vitit 1930-të, ai dërgohet në kursin e Perfeksionimit të Oficerave në Tiranë, ku do të formohej akoma dhe më shumë nga ana ushtarake. Në vitin 1932, gjyshi Hamza Kuçi do të martohej me me gjyshen tonë, Hamidije Zogollin, të bijën e Brahim beg Zogollit dhe bashkëshortes së tij, Fiqirijes, (kushëri i largët i Mbretit Zog) të cilët kishin katër vajza: Mahmude, Refije, Zekije, Hamidije. Njëra prej tyre, ishte gruaja e Ali Riza Topallit (Kosova), nënkolonel i Monarkisë së Zogut dhe besnik i Mbretit, ku për vite do të ushtronte funksionin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë të asaj kohe. Ndoshta dhe prej këtyre lidhjeve miqësore, Mbreti Zog do t’i besonte Hamza Kuçit detyra të larta të cilat ai i kreu me ndërgjegje conform legjislacionit të kohës dhe me besnikëri të lartë ndaj Mbretit Zog.
Kështu në ato vite, gjyshi Hamza Kuçi dha një kontribut jo të vogël edhe në krijimin dhe reformimin e sistemit gjyqësor mbi bazën e principeve dhe legjislacionin perëndimor të asaj kohe. Por kulmi i karrierës ushtarake dhe gjyqësore, është gradimi i tij major dhe emërimi si Anëtarë i Gjykatës së Posaçme në Tiranë, (Gjykata e Lartë, me kryetar Ali Riza Topallin), me datën 17 gusht të vitit 1935, detyrë të cilën ai do ta ushtronte deri në prillin e vitit 1939-të, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj vendit tonë. Në këtë kohë, gjyshi Hamzai, pasi kundërshtoi pushtimin fashist të vendit, do të internohej një muaj në Montova – Gittadela të Libisë, për pikëpamjet e tija antifashiste. Pas lirimit nga internimi, gjyshi u kthye në Shqipëri pranë familjes së tij në Tiranë dhe gjatë gjithë periudhës së pushtimit italian të vendit, ai qëndroi si ushtarak në reserve, pa u përzier fare me punët e politikës. Po kështu edhe gjatë pushtimit gjerman, nisur nga fakti se ishte diplomuar në Austri dhe zotëronte shkëlqyer gjuhën gjermane, gjyshi, Hamza Kuçi, pati oferta nga gjermanët për t’u afruar në poste dhe funksione të ndryshme si në ushtri ashtu dhe në qeveri, por ai e refuzoi një gjë të tillë”, kujton nipi i tij, Gëzimi, për periudhën e pushtimit nazi-fashist të vëndit, ku gjyshi i tij, Hamzai, qëndroi fare indiferent.
Dënimi me 15 vjet burg politik në Burrel
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në nëntorin e vitit 1944, për Hamza Kuçin dhe familjen e tij do të fillonin problemet e ndryshme, gjë e cila vinte për shkak të detyrave që ai kishte mbajtur gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut. Lidhur me këtë, Gëzimi tregon: “Gjyshi, Hamzai dhe gjithë familjen e tij, përveçse ishin ithtarë nga më të thekurit e Monarkisë së Zogut, njëkohësisht bindjet e tija ishin tejet të forta antikomuniste. Gjë e cila bëri që në vitin 1955, atë ta largonin nga Tirana ku kishte banuar deri në atë kohë familjarisht dhe ai do të vendosej në Shkodër në lagjen Dudas tek shtëpia e vjetër. Ndoshta kjo gjë mund të ishte e planifikuar nga Sigurimi i Shtetit, pasi vetëm pak kohë më pas, atë e arrestuan duke e akuzuar se kishte bërë pjesë në një organizatë antikomuniste në qytetin e Shkodrës, ku bënin pjesë edhe Smajl dhe Olimbi Baruti, Xhevat Quku, Xhelo Oroshi etj. Gjë për të cilën ai do të dënohej fillimisht me 25 vite burg politik, ku akuza kryesore ishte “agjitacion e propagandë”, por pas një rekruesi të kërkuar nga vetë ai, gjyqi ia zbriti dënimin në 15 vjet, të cilat i vuajti në burgun e Burrelit. Si rezultat i dënimit të gjyshit, babai im, Meleku dhe i vëllai i tij, Selimi, apo siç njihej ndryshe, Javuzi, do t’i nënshtroheshin një përndjekje të ashpër nga regjimi komunist. Kështu, edhe pse babai im, Leka (Melek) Kuçi, zotëronte 2 gjuhë të huaja (gjermanisht dhe turqisht), jo vetëm që nuk do t’i jepej e drejtë studimi për në universitet, pasi edhe shkollën e mesme e kishte kryer me rezultate të larta, por ai do të përndiqej këmba-këmbës nga Sigurimi i Shtetit dhe njerëzit e tij. Si rezultat, ai do të lejohej të punonte në Kombinatin e Drurit në Shkodër, tek sharrimi i trupave (lënda drusore), ku detyrohej t’i mbante edhe në krahë, pasi në atë pozicion pune dërgoheshin të gjithë të përndjekurit ose të ‘rrezikshmit’ e sistemit komunist”, kujton Gëzim Kuçi, lidhur me privacionet që pësoi familja e tij pas burgosjes së gjyshit, Hamza Kuçit në burgun e Burrelit, i cili pasi u lirua në një moshë të thyer, jetoi edhe disa vite të tjera, dhe ndërroi jetë më 19 mars të vitit 1978 në qytetin e Shkodrës.
Arratisja nga liqeni i Shkodrës
Po ç’ndodhi më pas me familjen e Hamza Kuçit pasi ai ishte liruar nga burgu i Burrelit? Lidhur me këtë, Gëzimi, tregon: “E ardhmja e babait tim, Melekut që punonte në punë tejet të rënda duke mbajtur lëndë drusore me krahë te Sharrat, dhe xhaxhait, Selimit, (apo siç njihej ndryshe ai, Javuzi), dukej fare e pashpresë për një jetë normale si gjithë të tjerët. Në këtë kushte, xhaxhai im, Selimi, i cili në ato vite në të gjithë qytetin e Shkodrës njihej si një djalë trim dhe shumë i fortë fizikisht, vendosi që të arratisej nga Shqipëria, pasi e kishte kuptuar se arrestimi i tij nga Sigurimi i Shtetit, nuk do të vononte shumë. Nisur nga kjo situatë në të cilën ndodhej, së bashku me katër shokë të tjerë, me anë të një varke të vogël, ikën nga liqeni i Shkodrës dhe dolën në anën tjetër, në Malin e Zi të Jugosllavisë së asaj kohe. Historia e arratisjes së tyre është një gjë tepër e rrallë dhe ajo u mbajt mënd gjatë në qytetin e Shkodrës, pasi ishte ndër të paktat raste, që një grup prej pesë vetash, (ku përveç drejtuesit të varkës me mbiemrin Balani, bënin pjesë Çesk Jana, Hajrulla Zaganjori, dhe një kushëri i tij, Zaganjor, që s’ja kujtoj dot emrin), kishin bërë plane për t’u arratisur dhe aty nuk penetroi dot Sigurimi i Shtetit. Gjë e cila tregoi se ata ishin shokë besnik dhe nuk e prenë në besë njëri tjetrin. Arratisja e tyre ndodhi më datën 23 shtator të vitit 1963 nga liqeni i Shkodrës, nga fshati Zogaj, ku një person me mbiemrin Balani, që punonte me varkat e peshkimit, i fshehu ata të pestë nën thasët me gëlqere të mbuluar me plasmas në mënyrë që të mos diktoheshin nga patrullat e kufirit që kontrollonin sa herë varkat dilnin në liqen. Nisur nga fakti se drejtuesi konsiderohej njeri i besuar i Sigurimit të Shtetit dhe Postës Kufitare që kontrollonte atë zonë, kontrolli i varkës u bë i përciptë dhe me t’u errur, xhaxhai, Selimi me shokët e tij, dolën dhe duke u dhënë rremave me shpejtësi, kaluan kufirin shtetëror dhe dolën në anën tjetër të liqenit, në fshatin Krajë të Jugosllavisë së asaj kohe. Aty u mbajtën për gjashtë muaj të izoluar në një stacion policor, ku UDB-ja i merrte në pyetje duke dashur të zbulonte se mos ata i kishte dërguar Sigurimi i Shtetit me mision të veçantë. Por mbas gjashtë muajsh, kur UDB-ja u bind se ata ishin arratisur vërtetë, i liroi dhe xhaxhai, Selimi, me shokët e tjerë, u shpërndanë në drejtime dhe shtetet të ndryshme, sipas mundësive dhe dëshirës së tyre”, tregon Gëzimi, lidhur ne arratisjen e xhaxhait të tij dhe shokëve të tjerë me varkë nga liqeni i Shkodrës në vitin 1963
Nga Turqia në Suedi dhe incidenti me Ansamblin nga Shqipëria
Po çfarë ndodhi më pas me Selim Kuçin dhe shokët e tij pasi UDB-ja i liroi nga izolimi ku i mbajti për gjashtë muaj në process verifikimi?! Lidhur me këtë, Gëzimi tregon: “Pasi u liruan nga UDB-ja, xhaxhai, Javuzi iku maleve duke dalë në Austri dhe prej andej në Turqi, tek tezet e tij, Refija dhe Zekija, të cilat ishin bijat e Brahim Beg Zagollit, kushërinj të largët të Mbretit Zog, i cili i kishte vënë emrin të vëllait të Selimit, babait tim, Melekut, për shkak të miqësisë që kishte me gjyshin tonë, Hamzain. Pasi jetoi disa vjet në Turqi tek tezet e tija, aty nga viti 1967, ai u vendos si azilant politik në Suedi, ku u morr me aktivitet politik kundra regjimit komuniste të Tiranës. Gjë e cila konfirmohet edhe nga Adil Biçaku, një emigrant politik i arratisur nga Shqipëria, ku në një shkrim të tij që është botuar edhe në shtypin shqiptar, tregon për një ngjarje të vitit 1976 në Stokholm, ku kishte shkuar Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë. Midis të tjerash për atë ngjarje ku ka qenë prezent edhe xhaxhai, Selimi, ai shkruan: “Mbaj mend të gjithë pjesëmarrësit, ca nuk jetojnë ma. Mendimi qe të shpërndanim manifestin që shkrova dhe e bana shumë kopje. Ne thamë që nuk do provokojmë, vetëm parrulla kundër Enver Hoxhës. Pa fillu koncerti, një kilian, komunist, na quajti fashista, atëhere krisi…! Një shkodran, Selim Kuçi (Javuzi) i njihte ca artista dhe u foli në emër, atëhere kiliani, shau. Selimi rahmet pastë, i shkoj e kapi për fyti. Kështu filloi që koncerti u prish. Qe midis nesh dhe kilianëve komunista dhe u sulmue skena me një shishe. Mediu foli me Irfan Bushatin ma përpara. Kjo do kohë të tregohet. Unë e di sepse qesh inisiatori që e pregatita disa ditë ma para. Dhe veç mua më erdhi telegrami kërcënues i Sigurimit të Shtetit. Unë isha familje “armik populli” dhe ma vonë kulak me 7 të burgosur dhe babën e zhdukur në burgjet e diktaturës”, citon Gëzimi, kujtimet e Adil Biçakut, emigrantit politik shqiptar në Suedi, për ngjarjen me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë që kishte shkuar atje për të dhënë koncerte.
Me Xhevdet Mustafën dhe në Afrikën e Jugut te Leka Zogu
Po si vijoj më tej jeta e Selim Kuçit si emigrant politik dhe pjestarë i grupeve antikomuniste që zhvillonin aktivitet të dendura kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës? Lidhur me këtë, Gëzimi, tregon: “Aktiviteti i xhaxhait, Selimit, kulmon në vitet 1972-1982, me tentativat e ndryshme për të depërtuar në Shqipëri, në rrëzimin e diktaturës komuniste. Një gjë e tillë veç të tjerash konfirmohet edhe nga Halit Bajrami, agjenti i Sigurimit të Shtetit që kishte penetruar në të ashtuquajturën, “Banda Xhevdet Mustafa”, ku në dëshmitë e tij para hetuesve, (të cilat janë publikuar para disa vitesh edhe në disa kanale televizive në Tiranë), ai midis të tjerash është shprehur: ‘Armët në Itali, i bleu një shkodran antikomunist, me banim në Suedi me profesion mekanik makinash, që erdhi nga Suedia me makinën e tij. Ai ishte shumë i fuqishëm fizikisht dhe i shkathët dhe ai gjeti mundësinë e blerjes së armëve, pasi Xhevdet Mustafa nuk mund te kryente një mision të tillë, sepse kërkohej nga policia ndërkombëtare. Këtë person mund t’a vrisja, sepse në atë kohë kam fjetur në një dhomë me të, por nuk kisha pistoletë pa zë, se do të dëgjohej zhurma dhe shokët e tij do të më asgjesonin’. Me Xhevdet Mustafën, xhaxhai, Selimi ishte njohur që në fillimin e viteve ’70-të dhe të dy kanë qenë të ftuar te dasma e Mbretit Leka Zogu në Spanjë. Një ngjarje tjetër ku ka marrë pjesë xhaxhai, ka ndodhur në vitin 1979, ku Selim (Javuz) Kuçi, së bashku me Ylli Spahinë, kanë sulmuar ambasadën Shqiptare në Francë me flakë hedhëse së bashku dhe me një person tjetër. Në fundin e viteve ’70-të, Selimi ikën nga Suedia dhe shkon në Afrikën e Jugut në Rodezi, ku takohet me Mbretin Leka Zogu i Parë, i cili menjëherë e pajisi me dokumenta e pasaportën e Mbretërisë Shqiptare dhe pranoi në Gardën e tij Mbretërore, ku ishin edhe shumë shqiptarë të tjerë, të arratisur nga Shqipëria, apo nga familjet që kishin shoqëruar Mbretin Ahmet Zogu që nga viti 1939 kur ai ishte detyruar që të largohej nga vendi për shkak të agresionin ushtarak të Italisë fashiste. Lidhur me vajtjen e Selim Kuçit pranë Oborrit Mbretëror të Leka Zogut në Afrikën e Jugut, Gëzimi tregon: “Xhaxhai im Selimi, ashtu si edhe e gjitha familja jonë, kanë qenë me bindje të thella zogiste dhe idhtarë të Monarkisë së Zogut, pasi gjyshi, Hamza Kuçi kishte qenë major i Zogut dhe nga miqësia që kishte pasur me Mbretin Zog, ai i kishte vënë emrin babait tim, Melekut. Nisur nga këto, xhaxhai, Selimi që në rininë e tij, kur ishte në qytetin e Shkodrës, ëndërronte që një ditë ta takonte Mbretin Leka Zogu dhe arsyeja kryesore e arratisjes së tij nga Shqipëria, ka qenë ajo, që ai të shkonte dhe të shërbente pranë Oborrit Mbretëror, ashtu siç kishte shërbyer i ati i tij, dhe njëkohësisht gjyshi ynë, Hamza Kuçi. Siç na ka pas treguar vetë Selimi kur erdhi në Shkodër pas viteve ’90-të, Mbreti Leka Zogu, jo vetëm që e mirëpriti vajtjen e Selimit, por gjatë gjithë kohën që ai qëndroi aty, Mbreti Leka e kishte atë një nga njerëzit më besnikë dhe më të besuar të tij dhe gjithë Familjes Mbretërore gjithashtu. Kjo gjë konfirmohet edhe nga shumë dokumente, pasaporta e foto të ndryshme që janë fiksuar nga ajo periudhë kohe ku xhaja Selimi ka dalë me Mbretin Leka dhe me pjesëtarët e tjerë të gardës Mbretërore që shërbenin aty, si Ylli Spahiu etj.”, kujton Gëzimi lidhur me xhaxhanë e tij, që pasi ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1963, për më shumë se një dekadë, shërbeu pranë Gardës Mbretërore të Leka Zogut në Afrikën e Jugut.
Kthimi në Shqipëri pas viteve ’90-të dhe sëmundja që e ndau nga jeta
Po sa kohë qëndroi Selim Kuçi pranë Oborrit Mbretëror të Leka Zogut në Afrikën e Jugut dhe si vijoi më pas jeta e tij? Lidhur me këtë, nipi i tij, Gëzimi dëshmon: “Xhaja Selimi, apo siç është njohur ndryshe në qytetin e Shkodrës, si Javuzi, qëndroi në Gardën Mbretërore të Leka Zogut deri nga fundi I viteve ’80-të kur u rrëzua Muri i Berlinit dhe ai erdhi në Shqipëri në vitin 1992, pasi ishte shembur regjimi komunist. Pasi qëndroi disa kohë në shtëpinë tonë, ai iku përsëri në Suedi dhe në vitin 1993 solli dhjetë tonë ndihma për Bashkinë e Shkodrës, të cilat i kishte grumbulluar në Suedi. Aty nga viti 1995, ai u sëmur rëndë nga një sëmundje e pashërueshme në mushkri dhe kërkoi që të vinte në Shkodër për të kaluar ditët e fundit të jetës në vendlindjen e tij, pasi mjekët në Suedi i kishin thënë se kishte vetëm, dy muaj jetë. Javuzi i kushtoji gjithë jetën e tij kauzës për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai nuk krijoj dot familje, pasi prej kohësh kishte ëndërruar që të arratisej nga Shqipëria dhe nuk donte që hakmarrja e regjimit të binte mbi familjen e tij. Me dëshirën e një patrioti edhe pse nuk kishte më shumë se dy muaj jetë, ai erdhi dhe vdiq në Shkodër në vitin 1995, në qytetin ku u rrit dhe i kushtoj gjithë jetën edhe kur ishte në emigracion”, e përfundon rrëfimin e tij, Gëzim Kuçi, për historinë e familjes së tij, që nga gjyshi, Hamza Kuçi, ish major i Monarkisë dhe besnik i Mbretit Zog, te xhaxhai, Selimi, i cili u arratis nga Shqipëria në vitin 1963, për të realizuar ëndrrën e tij që të shërbente pranë Oborrit të Mbretit Leka i Parë, si dikur i ati, Hamza, pranë Mbretit Ahmet Zogu./Memorie.al