Xhamia e Plumbit nën ujë/ Drejtuesit e DRTK: Ende nuk ka një datë për rinisjen e punimeve…

Shpërndaje

Reshjet e shumta të pak javëve më parë në Shkodër sollën daljen e lumenjve dhe përmbytjen e disa zonave.Vëshimit të ujrave nuk i shpëtoi as xhamia e Plumbit në të cilën po kryhej procesi i restaurimit i nisur në Shtator të këtij viti.

Përmbytjet shkaktuan ndërprerjen e punimeve në kantierin e ngritur për restaurimin e Xhamisë.Ende sot në ambjentin përreth saj uji është mbi një metër ku përvec objektit të kultit janë nën ujë edhe makineritë e firmës e cila po merret me punimet në këtë objekt. Pamje të tilla të kujtojnë periudhën e viteve të kaluara të përmbytjes në këtë zonë. Edhe pse ka një normalizim të situatës ende ka prezencë uji në lagjen Ajasëm ku ndodhet edhe kjo xhami.

Të kontaktuar nga RTSH drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër thanë se dëmet janë të mëdha. Sipas tyre të gjitha makineritë kanë dalë jashtë funksionit ndaj pritet që sapo uji të largohet të ngrihet një ekip pune për evidentimin e dëmeve. Sipas drejtuesve të këtij institucioni nuk ka ende një datë të caktuar se kur do të rinisin punimet në këtë kantier pasi varet nga moti, gjithnjë me shpresën që kjo të ketë qënë edhe përmbytja e fundit e ketij objekti monument kulture i kategorisë së parë.

Projekti i rehabilitimit për Xhaminë e Plumbit po vihet në jetë falë marrëveshjes së bashkëpunimit me qeverinë turke.Ndërhyrja kryesore lidhet me zgjidhjen e problemit të përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e ndërtesës.

Jo pa rëndësi është edhe sistemimi i peizazhit të ambientit përreth, për ta kthyer në një park të denjë për besimtarët e turistët. Teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura në monumentin e kulturës dhe të gjitha detajet arkitektonike origjinale nuk do të cenohen.

Shpërndaje