Deklarata e bërë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama për nisjen e punimeve në Xhaminë e Plumbit është pritur me pozitivitet nga Myftinia e Shkodrës.
Në një intervistë për Report Tv, Arben Halluni është shprehur se puna në fakt ka nisur që vitin e kaluar ku ekspertët turq në bashkëpunim me ato shqiptarë kanë përgatitur projektin për restaurimin e këtij monumenti me vlera jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë Shqiperinë.
“Kanë filluar fazat fillestare rikonstruktuese të kësaj xhamie historike të trashëgimisë kulturore dhe Islame. Kjo vjen në kuadër të nënshkrimit të protokollit mes dy ministrive të Kulturës, asaj turke dhe shqiptare që u zhvillua vitin e kaluar në janar kur Rama ishte në Ankara. Kjo i ka dhënë një impuls tjetër angazhimit të këtyre projekteve, ka kaluar në një fazë të ekspertëve.”-deklaroi Arben Halluni për Report Tv.
Nga ana tjetër ai ka pranuar se ky restaurim është i vështire për vetë specifikën që ka ky objekt kulti i cili përballet me problematika sa herë ka përmbytje në Shkodër.
“Është një problem shekullor i Xhamisë së Plumbit në Shkodër që përmbytet. Ajo që mendoj se do marri së shpejti zgjidhje, që do nisë dhe puna së shpejti sidomos nga pala turke. Tha që inaugurimi i ardhshëm do jetë Xhamia e Plumbit. Do marrë pamjen e meritur se është pionierja e parë e përhapjes së Islamit. Kjo është një xhami që kemi zanafillën tonë islame përtej asaj që është historike.”-përfundoi Halluni.
Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit (tr. Kurşunlu Cami) është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. E ndërtuar më 1773/1774, është ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë.
Dje, në ceremoninë hapëse të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, pas rikonstruksionit nga Turqia, kryeministri Edi Rama bëri me dije se së shpejti do të nisë puna edhe për rilindjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër teksa shoqërohej nga Presidenti turk, Erdogan.