Vuçiqi me tone kërcënuese: Para se t’i japim ndonjë urdhër ushtrisë, po përpiqemi të ruajmë paqen…

Shpërndaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen dhe të shtensionojnë situatën.

“U bëj thirrje serbëve në veri [të Kosovës] që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Ai tutje ka shtuar se ka disponim të njerëzve në Serbi, siç thotë ai, për ta mbrojtur vendin.

“Kurrë që nga ekzistenca e APJ-së nuk kemi pasur këtë lloj rekrutimi dhe këtë lloj reagimi, disponimin e njerëzve për t’u vënë në dispozicion të atdheut të tyre”, ka thënë ai.

“Para se të marrim ndonjë vendim, para se të japim ndonjë urdhër për gatishmërinë luftarake, ne do të përpiqemi një milion herë të ruajmë paqen. Jepni të drejta serbëve, respektojeni marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Vuçiq me tone kërcënuese.

Në veri të Kosovës, disa serbë lokalë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugë qysh të shtunën pasdite.

Ata morën këtë vendim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Vuçiq tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evroianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.

“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, tha ai.

Vuçiq porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.

Ai tha se ka marrë garanci nga KFOR-i dhe Evropa se “nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër demonstruesve”.

“Do të vazhdojmë të bisedojmë me ta”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat në veri.

Shtetet e Bashkuara bënë po ashtu thirrje për çmontimin e tyre.

Shpërndaje