Në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm ka nisur të martën seanca e parë ndaj Arbër Paplekajt, të akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan në muajin prill të vitit 2021. Arbër Paplekaj është dënuar me 22 vite burg nga gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan për veprën penale ‘vrasje në rrethana cilësuese’.
Paplekaj nuk ishte i pranishëm në seancën e së martës, ndërsa mbrohej nga avokati Marash Martini. Prokurori i Apelit, Genti Xholi kërkoi shtyrjen e seancës për shkak se avokatja e familjarëve të Xhuvanit nuk ishte njoftuar nëpërmjet adresës zyrtare, por përmes telefonit nuk ishte paraqitur në seancë.
Prokurori kërkoi në të njëjtën kohë njoftimin edhe njëherë të një prej personave që mbeti i plagosur gjatë konfliktit që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në prill të vitit 2021.
Pjesë e këtij procesi janë edhe dy nën ish drejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi e Nikollaq Palla, që u dënuan për shpërdorim detyre me 16 muaj shërbim prove. Edhe gjashtë efektivët e forcave Shqiponja kanë marrë të njëjtin dënim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.