Vrasja e Pashko Ujkës, familja ofron 25 mijë € për këdo që jep informacion: Janë lekë për shpirtin e tij

Familja e Pashko Ujkës, ish-deputetit që u vra më 29 Nëntor 2021 në Shkodër, ka vendosur që të japë shpërblim për këdo që jep informacione rreth autorit të ngjarjes.

Lajmin e ka bërë të ditur për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, vajza e Pashko Ujkës, Ledisia Ujka.

Kjo e fundit bëri të ditur se familja e saj ka vendosur që të ofrojë 25 mijë Euro shpërblim për këdo që jep informacione dhe të dhëna për autorin e vrasjes së Pashko Ujkës.

Familja Ujka ka vendosur në dispozion edhe numrin +355 67 61 75 086, duke garantuar anonimatin për cilindo qytetar që jep informacione. Vajza e ish-deputeti thotë se kanë vendosur numrin e tyre personal dhe jo të policisë për arsye se nuk kanë besim.

Ledisia Ujka ka theksuar gjithashtu se dosjen e vrasjes së Pashko Ujkës do ta hapin edhe në Itali për arsye se ish-deputeti ka patur nënshtetësi italiane.

Spartak Koka: Përse keni vendosur si familje të jepni një shpërblim financiar për ata që do t’ju ndihmojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe a mund të na jepni konkretisht më shumë detaje për këtë shpërblim financiar që keni vendosur si familje? Dhe përse vendosët ju dhe nuk e bëri policia dhe institucionet ligjzbatuese?

Ledisia Ujka: E kemi nga halli sepse ne kemi kërkuar drejtësi, por e kemi parë që drejtësia nuk është duke u bërë për gjakun e babit tim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur të flasim që të zgjidhim këtë çështje që të zbardhet kjo vrasje. Deri sot nuk është bërë asnjë gjë për të gjetur vrasësin e babit tim. Ne si familje do mundohemi t’i shkojmë deri në fund kësaj drejtësie për të gjetur drejtësi për gjakun e tij.

Spartak Koka: Si do t’i shkoni deri në fund?

Ledisia Ujka: Me prova, me gjëra çfarë kemi mbledhur, me gjithçka çfarë ne dimë dhe çfarë kemi gjetur. Me shtete të tjera sepse do angazhojmë edhe shtetin italian sepse ai kishte nënshtetësi italiane. Edhe në shtetin amerikan meqë kemi parë që autoritetet e Shqipërisë, si policia, si prokuroria, si gjykata, askush nuk ka bërë asnjë gjë për të zbardhur këtë ngjarje.

Spartak Koka: Po si do ta hapni në shtetin italian? Do bëni kallëzim atje?

Ledisia Ujka: Ne kemi marrë të gjithë dosjen me provat për vrasjen e babit tim dhe e kemi dërguar për ta përkthyer dhe pastaj do të hapet si dosje dhe në Itali, në prokurorinë e Italisë.

Spartak Koka: Në cilin vend?

Ledisia Ujka: Në Varese ku ai ka pasur dhe rezidencë atje. Nga momenti që është bërë vrasja e babit deri sot, të gjithë na kanë thënë mos flasim, mos të themi çfarë konfliktesh kemi pasur, mos të japim detaje, nuk na ka dalë asnjë njeri zot. I kemi kërkuar edhe policisë, i kemi thënë që duam mbrojtje, sepse vetë policia në shumë raste na ka thënë që ju mund të jeni të kërcënuar, por mos e diskutoni dhe është më mirë që shumë gjëra t’i mbani për vete.

Spartak Koka: Ju kanë dhënë mbrojtje juve personalisht?

Ledisia Ujka: Jo, jo.

Spartak Koka: Ju keni kërkuar mbrojtje?

Ledisia Ujka: Po, kemi kërkuar mbrojtje, kemi folur edhe me drejtorin e policisë në Shkodër, edhe me nëndrejtorin. Nëndrejtori është ai që është marrë me këtë ngjarje për ta zbardhur dhe na ka thënë nuk keni pse se s’ka çfarë t’ju ndodhi juve.

Spartak Koka: Po a ju kanë thënë që mos flisni se mund t’ju ndodhë diçka?

Ledisia Ujka: Po na kanë thënë. Unë e mbaj mend që atë ditë që kam qenë duke varrosur babin, shumë persona si shokë të tij e shumë veta na kanë thënë mos të flasim.

Spartak Koka: Nga kush ndiheni të kërcënuar?

Ledisia Ujka: Këta dy persona që i patën kapur që dyshojmë. Por këta dy persona që kemi parë ne nuk besoj se gjithë kjo vrasje sepse është një vrasje që ka ndodhur në mes të Shkodrës. Mos të arrihet të gjendet, unë nuk e kuptoj.

Spartak Koka: Çfarë shume keni dhënë si shpërblim dhe çfarë numri keni vendosur për kontakt?

Ledisia Ujka: Ne kemi vendosur shumën si familje dhe ofrojmë 25 mijë Euro për çdo persona që ka fakte konkrete dhe prova për të gjetur vrasësin e babit tim. Këto lekë janë lekë që shkojnë për shpirt të tij, për gjak të tij sepse ai ka punuar gjithë jetën dhe ne do bëjmë të pamundurën që të vendoset drejtësia për të.

Spartak Koka: Përse keni vendosur një numër tuajin familjar dhe jo të policisë?

Ledisia Ujka: Kemi vendosur numrin tonë sepse ne nuk kemi besim te policia. Policia na ka thënë që 99%, pas 2 javëve, ngjarja në shtet është e zgjidhur. /tvklan.al