Vrasja e ish-deputetit Ujka/ Gruaja e viktimës ndryshon dëshmi…

Shpërndaje

Dëshmia në Polici herën e dytë e bashkëshortes së Pashko Ujkës, ish-deputetit që mbeti i vrarë mbrëmjen e 29 nëntorit në Shkodër, duket se ka vështirësuar pozitat e autorit të dyshuar, Kristjan Kelmendi.

Bashkëshortja e viktimës, edhe pse herën e parë ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asgjë dhe nuk e ka parë autorin, në dëshminë e dytë të saj ajo ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se autori i vrasjes, sipas saj, është 20-vjeçari Kristjan Kelmendi.

Autori i dyshuar, por edhe avokatët mbrojtës, e kanë mohuar një gjë të tillë gjatë seancës për masën e sigurisë, duke thënë se 20-vjeçari nuk ka lidhje me këtë vrasje sepse mbrëmjen e 29 nëntorit ndodhej në Kosovë dhe këtë sipas palës mbrojtëse e vërtetojnë edhe kamerat e sigurisë në markete, qendrën tregtare ku kanë blerë rroba dhe një poligon qitjeje ku është futur për qejf bashkë me Marjan Kolën, 53- vjeçari i arrestuar me dyshimin si bashkëpunëtor në këtë vrasje.

Edhe djali i viktimës, Emanuel Ujka, ka treguar se babai i tij kishte konflikt të mprehtë me Aleksandër Kelmendin për një faturë të pashlyer prej 20 mijë eurosh nga ana e babait të 20- vjeçarit dhe për këtë arsye viktima i ka nxjerrë nga banesa duke përdorur edhe Policinë.

Si u organizua atentati

Ndërkohë, sipas burimeve dhe dosjes që ka Prokuroria lidhur me këtë ngjarje, autori i dyshuar në momentin e vrasjes së ish-deputetit Pashko Ujka e ka mbajtur pistoletën në një qese ndaj dhe nuk u gjetën gëzhoja në vendin e ngjarjes, ndërsa në fytyrë ka pasur një maskë anti-Covid.

Në dosjen e Prokurorisë po ashtu hidhen dyshime se autori i dyshuar, Kristian Kelmendi, ka bërë lëvizje fiktive në kufi për të krijuar alibi për Policinë dhe Prokurorinë.

Shkak për ngjarjen është bërë një shumë prej 20 mijë eurosh që familja Kelmendi nuk ia kishte dhënë ish-deputetit për një apartament që i kishte shitur 11 vite më parë.

Mësohet se ish-deputeti Pashko Ujka ka qenë duke blerë një paketë cigare në momentin kur është qëlluar me një plumb.

Pranë tij ka qenë bashkëshortja, e cila në momentet e para të ngjarjes ka deklaruar se ka dëgjuar vetëm një zhurmë të mbytur e më pas ka vënë re se Ujka ka rënë në tokë, por fillimisht ka menduar se ka të bëjë me sëmundjen që kishte ish-deputeti, sepse vuante nga parkinsoni.

Nga pamjet e siguruara prej bizneseve në zonën pranë lulishtes pas këmbimit valutor ku edhe ndodhi ngjarja, vërehet se autori e ka mbështjellë armën me një qese që dyshohet se është qese buke. Kjo shpjegon se përse nuk është gjetur gëzhoja.

“Personi që ka qëlluar është trup i mbushur, që sipas Policisë, ngjason me trupin e Marjan Kolës ose Aleksandër Kelmendit. Autori shfaqet me kapele të zezë me strehë në kokë, me kapuç pas qafe, në dukje doreza në duar. Duket që për një moment rregullon kapelën e kapuçin dhe mban kokën ulur, ndërsa ecën me hapa të vogël, por të vendosur e të shpejtë. Në dorë ka një qese të bardhë, e cila mbulon diçka brenda saj dhe që dyshohet se mund të jetë arma, pasi në vendngjarje nuk është gjendur asnjë gëzhojë”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë.

Sipas dosjes hetimore, Kristian Kelmendi ka disa lëvizje në kufi. Në datën 24 nëntor, ai ka hyrë në Shqipëri, por në material nuk thuhet se nga cili shtet ka ardhur.

Burg 30 ditë për të arrestuarit

Pesë ditë pas vrasjes, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër u zhvillua seanca për masën e sigurisë për autorin e dyshuar Kristjan Kelmendi dhe bashkëpunëtorin e dyshuar të vrasjes, shtetasin Marjan Kola. Në sallën e gjyqit, autori i dyshuar Kristjan Kelmendi ka mohuar se është ai autori i vrasjes.

“Babai im ka pasur një bisedë me Pashkon sepse kanë qenë shokë. Edhe unë djalin e Pashkos e kam shok sepse kemi qenë në shkollë bashkë. Pashko i ka thënë babait që t’i japë paratë e shtëpisë që na e kanë shitur 11 vite më parë. Bëhej fjalë për një shumë prej 20 mijë eurosh, që në atë kohë Pashko ka thënë që nuk i dua. Babai i ka thënë se është bisedë e mbyllur ajo dhe unë di që nuk kemi pasur ndonjë problem për atë bisedë. Unë para pak kohësh desha të iki nga Italia në Angli për një jetë më të mirë, por më kapën dhe më kthyen në Shqipëri.

Kur erdha u takova rastësisht me Marjanin, i cili më tha se do shkonte në Kosovë për të blerë rroba më 28 nëntor. Unë i thashë po vij me ty sepse kisha babain në Kosovë dhe doja ta takoja. Kemi ikur më 28 nëntor në Kosovë dhe më 29 nëntor po ashtu kemi qenë atje. Pra, natën kur është bërë vrasja, më 29 nëntor, unë dhe Marjani kemi qenë në Kosovë. Në atë orar kemi qene në qendër tregtare duke blerë rroba dhe më pas në market, nga aty jemi futur në një poligon qitjeje atje për qejf. Duke u kthyer drejt Shqipërisë na kanë arrestuar. Unë nuk e kam vrarë Pashkon dhe nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë thënë 20-vjeçari.

Të njëjtën dëshmi ka dhënë edhe 53-vjeçari Marjan Kola përpara Gjykatës, duke thënë se ka qenë në Kosovë dhe se nuk ka asnjë ide për vrasjen e ndodhur në Shkodër./Panorama

Shpërndaje