Votohet sot Amnistia Penale. Lirohen 700 të dënuar, përfitojnë edhe shumë të tjerë…

Shpërndaje

4 muaj nga dorëzimi i dokumentit në parlament, shumica dhe opozita do të bashkojnë votat këtë të enjte për të votuar Amnistinë Penale. Nga ky vendim i ligjvënësve do të përfitojnë disa kategori të burgosurish, të dënuarish me shërbim prove, apo që janë ende në proces gjyqësor.

Në total, të burgosurit që do të lënë qelitë, pasi ligji të botohet në Fletoren Zyrtare, janë afro 700, burra e gra të dënuar për vepra penale të lehta penale, ndërsa janë të përjashtuar kategorikisht të dënuarit nga Gjykata e Posaçme për korrupsion, apo për përfshirje në organizata kriminale.

Zyrtarët e dënuar u bënë edhe shkak për tejzgjatjen e arritjes së dakortësisë mes palëve politike për këtë ligj që kërkon shumicë të cilësuar.

Një numër i madh i përfituesve nga Amnistia janë protestues të opozitës, një kusht tjetër ky i vendosur nga demokratët për ta votuar këtë projektligj.

Por përfshirja e këtij dokumenti në axhendën e seancën së sotme me kërkesë të Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhit, pa u diskutuar amendamentet e opozitës në Komisionin e Ligjeve, solli debate.

Kësaj here shumica socialiste dhe Bardhi ishin nga e njëjta anë, ndërsa grupimi i Bashës nga ana e kundërt, duke shkëmbyer vendet këta të fundit me njëri-tjetrin e duke shkëmbyer të njëjtat akuza për pazare politike.

“Është e qartë që ky pazar i ulët, është një pazar anti-drejtësi, është një pazar anti-SPAK, përfitojnë të korruptuarit”, tha Basha.

Akuzave se nga Amnistia përfitojnë edhe të dënuarit për korrupsion iu përgjigj Ministri i Drejtësisë, duke i hedhur kategorikisht poshtë ato dhe duke ironizuar artikuluesin e tyre. 

Ministri i Drejtësisë i kërkoi parlamentit që Amnistia Penale të jetë një akt që votohet çdo fundviti.

Shpërndaje