Vllaznia për herë të parë këtë sezon, dje nuk ka nxjerrë në konferencë për mediat asnjë drejtues, anëtarë të stafit apo lojtarë para ndeshjes me Kukësin. Krahas heshtjes për shtyp, në “Loro Boriçi”, kuqeblutë u kanë dhënë fundin përgatitjeve, ku janë përgatitur disa ndryshime në formacion.
Përpara Zogoviç, Shehi mund të mos startojë titullar dhe një vend në të majtë të mbrojtjes pritet ta marrë Kruja, i vendosur në prapavijë bashkë me Gurishtën, Adilin e Imamin. Në mesfushë pritet rikthimi i Kalasë, me dyshimin nëse do të luajë në vend të Da Silvës apo Kaleziç. Nga sa është provuar në stërvitje, Krymi, Jonuzi e Imeri do të jenë sërish startues. Ndryshimi tjetër mund të jetë lënia në stol e Dilaver, për një mes Ardit Hoxhajt ose Cisesë.
Kukësi ka vetëm një mungesë të sigurt në ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ora 16:00. Mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë javë. Sipas të gjitha gjasave, në vendin e tij do të luajë lituanezi Rolandas Baravikas, i cili edhe pse si rol të mirëfilltë ka krahun e djathtë të mbrojtjes, aktivizohet edhe në të majtë.
Për këtë ndeshje rikthehet pas pezullimit për kartonë kapiteni Agim Ibraimi, i cili bashkë me sulmuesin Patrik Eze, janë golashënuesit më të mirë të kampionatit me nga 10 gola secili. Josa pritet të rreshtojë një ekip me skemën 4-3-3, ku të sigurt në qendër të mesfushës janë Demiri, Taipi dhe gjeorgjiani Tsintsadze. Gashi dhe Leiria janë në balotazh për një vend në krahun e majtë, por duket se braziliani është më i avantazhuar.
PANORAMASPORT.AL