E para, të paktën deri sa të zbresë në fushë Partizani. Vllaznia mposht 2-1 Laçin dhe i bën presion të kuqve dhe Egnatias, në javën e 18 të Superiores. Skuadra e Thomas Brdaric ka triumfuar 2-1 me golat e Dodaj e Delaj në “Loro Boriçi”, duke marrë revanshin e humbjes së fazës së parë, në debutimin e teknikut Francesco Moriero në pankinën kurbinase.
Vllaznia e kërkoi me ngulm fitoren, edhe pse u kujdes që të mos ndëshkohej nga kundërsulmi i bardhezinjve. Avantazhi për kuqeblutë erdhi në minutën e 51? me anë të Dodaj. 19-vjeçari shënoi një gol fantastik, duke konfirmuar momentin brilant që po kalon. Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 57? për të qenë më të saktë, shkodranët dyfishuan shifrat duke shënuar edhe golin e dytë. Një gabim i Kryeziut i dha mundësinë Delaj, t’a bëntë rezultatin 2-0.
Dy gola që goditën në moral Laçin, që reagoi me krenari. Vllaznia u tërhoq në mbrojtje të fitores dhe skuadra e teknikut Moriero pati hapësirat për të ndërtuar aksionet e saj. Bardhezinjtë rihapën ndeshjen në minutën e 70? me golin e Bullarit, që i dha pak shpresë miqve. Në minutat e mbetura pati raste shënimi në të dy anët, por rezultati mbeti i pandryshuar. Me 3 pikëve të marrë në shtëpi, Vllaznia merr përkohësisht vendin e parë në klasifikim me 31 pikë, 1 më shumë se Egnatia. Ndërkohë Laçi mbetet në vendin e 8 me 17 pikë dhe me një renditje që bëhet e komplikuar gjithnjë e më shumë me kalimin e javëve.