Vllaznia është “mbretëresha” e merkatos, mesfushori firmos me “provë”. Gati edhe afrimi i mbrojtësit të djathtë

Shpërndaje

Vllaznia nuk ka në plan që të ndalet këtë merkato. Klubi ka siguruar shërbimet e Fjoart Jonuzi i cili është pëlqyer nga trajneri Brdariç për të patur një forcë më tepër në mesfushë. Mesfushori është afrimi numër 15 te Vllaznia, teksa më herët kanë ardhur Ardit Hoxhaj, Aleksandar Isaevski, Enes Isufi, Bojan Zogoviç, Viktor Da Silva Matos, Uheid Hoxha, Demir Imeri, Mehdi Çoba, Nertil Hoxhaj, Kristofer Mandiangu, Ismael Dunga, Arlind Kalaja, Eni Imami e Haris Dilaver.

U mendua në fakt që përforcimet do të mbylleshin me sulmuesin boshnjak, por e kundërta ndodhi. Stafi teknik ka shtuar alternativat për mesfushën me 24- vjeçarin. Dhe duhet thënë që tashmë edhe për këtë repart, konkurrenca do të jetë realisht e madhe. Vllaznia është “mbretëresha” e kësaj merkatoje.

Askush më shumë se ata nuk kanë bërë afrime gjatë kësaj vere. Dhe flasim për zyrtarizime, pasi edhe Skënderbeu apo Bylisi nuk janë kursyer, e megjithatë shumica janë ende në proces prove dhe pa firma. Duket se në Shkodër do ta thellojnë rekordin. Fjoart Jonuzi nuk do të jetë i fundit përforcim në këtë dritare transferimesh.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë gati edhe një mbrojtës të djathtë. Negociatat i kanë nisur me disa lojtarët, por më pranë janë vetëm me njërin. Emri nuk bëhet i ditur, pasi fillimisht drejtuesit duan që të arrijnë akordin dhe më pas do të bëhet prezantimi. Dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë merkatoja e shkodranëve do të mbyllet me 16 blerje në total.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje