Vllaznia po kalon një moment mjaft të mirë, teksa është skuadra me paraqitjet më të mira në 5 javët e fundit. Të besuarit e Thomas Brdaric kanë mundur që të marrin 13 nga 15 pikët e mundshme, duke mos pësuar asnjë humbje, si asnjë ekip tjetër në këto 5 javë. Kuqeblutë kanë rikuperuar disa pozicione në renditje e tashmë me të drejtë pretendojnë titullin kampion, objektiv të cilit iu afruan shumë dhe sezonin e shkuar.
Bie në sy fakti se shkodranët janë përmirësuar ndjeshëm në repartin e mbrojtjes, teksa në 5 takimet e fundit kanë pësuar vetëm 2 gola, në suksesin 3-1 me Kastriotin dhe në barazimin 1-1 me Teutën. Në 8 ndeshjet e para të këtij edicioni shkodranët kishin pësuar 13 gola, ndërsa tashmë situata ka ndyshuar.
Me 22 gola, Vllaznia ka sulmin e tretë më të mirë, ndërsa tekniku Brdaric e gëzon gjithmonë fakti se te skuadra e tij të gjithë kanë nuhatjen për portën dhe janë plot 10 lojtarë që kanë festuar gola këtë sezon.
Natyrisht, në futboll llogaritë me laps dhe letër jo gjithmonë funksionojnë, por deri më tani, Vllaznia ka të drejtën legjitime që të pretendojë për titullin kampion, nëse do t’i bëjë gjërat ashtu siç po i bën këto javët e fundit.