Vllaznia fiton 2-1 ndaj Egnatias në shtëpi, në përballjen e javës së 24 të Superiores. Shkodranët e filluan ndeshjen me “marshin e pestë” dhe ia dolën të zhbllokojnë takimin që në minutën e 3-të me Bekim Balaj. Skuadra nga Rrogozhina nuk u pajtua assesi me rezultatin dhe u kundërpërgjigj me Ndrecën, në minutën e 27-të. Një goditje e Grudes në minutën e 54-të i dhuroi golin e avantazhit skuadrës së Qatip Osmanit.
Pak më vonë, Vllaznia shfaq pakënaqësi ndaj arbitrimit, pas një ndërhyrje të Xhemajlit ndaj Çobës. Xhemajli, i ndëshkuar me karton të verdhë në fillim të sfidës, mund të kishte mbyllur ndeshjen përpara kohe, por kryesori vendosi që gjithçka ishte e rregullt.
Pavarësisht 5 minutave shtesë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Vllaznia renditet në vendin e 3-të me 40 pikë, 8 pikë më pak se Egnatia kryesuese.