Nuk ka më dyshime. Vllaznia është pretendente kryesore për të fituar titullin kampion dhe me plot meritë. Skuadra e Tomas Brdariç ka mundur sot me lojë dhe me rezultat Teutën, që ishte ndjekësja më e afërt, për të nisur një arrati që duket e vështirë të ndalet, sidomos duke parë mënyrën se si luan ekipi kuqeblu.
Shkodranët, me përjashtim të minutave të parë u treguan dominues në lojën e tyre duke prodhuar lojë e duke kërkuar me ngulm golin në këtë sfidë. Shtylla ia mohoi Dilaver në pjesën e parë ndërsa në të dytën ekipi shkodran shënoi me anë të Hoxhajt. Sulmuesi pak minuta më vonë mund të komplikonte gjithçka për ekipin e tij pasi u ndëshkua me një të kuq pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Pjeshkës.
Por edhe me 10 lojtarë, ishte Vllaznia ajo që prodhoi lojë e krijoi më shumë deri në vërshëllimën përfundimtare, duke festuar me meritë suksesin 1-0 që e çon në 9 pikë diferencën me durrsakët që e kishin nisur edicionin si pretendetë kryesorë për titullin që për momentin janë në vendin e dytë.