Vllaznia ka arritur një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat, duke mundur me rezultatin 0-1 Skënderbeun në Korçë, në një sfidë që u shoqërua me shumë polemika.
Sfida nisi me ritëm të ulët, teksa rastet u shtuan në gjysmën e dytë të pjesës së parë, me korçarët që ishin më kërkues.
Edhe në pjesën e dytë, ekipi vendas tentoi disa herë për të gjetur golin dhe në minutën e 58’, ishte Ramos ai që tundi rrjetën, por pas ndërhyrjes së VAR, goli u anulua për një prekje të topit me dorë.
Ishte sërish Ramos që preku topin me dorë, kësaj radhe në zonën e tij, që pas tre minutash në rishikim me VAR, gjyqtari Cjapi akordoi 11-,etërsh për kuqeblutë, që u shndërrua në gol nga Balaj në minutën e 71’.
Korçarët tentuan disa herë që të gjenin rrugën e rrjetës, por kuqeblutë arritën të mbylleshin mirë në mbrojtje, me rezultatin që më pas ngeli i pandryshuar, me këta të fundit që gjithashtu ngelën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Krymit në minutën e 94’.
Kështu Vllaznia rimerr sërish vendin e dytë me 49 pikë, dy më pak se Egnatia kryesuese. Ndërsa Skënderbeu vazhdon momentalisht në vendin e 4-të me 37 pikë.