Vllaznia e Futbollit Femra, krenaria e Shkodrës/ Historike, ekipi kuqeblu fiton titullin e 10-të kampion radhazi…

Shpërndaje

Vllaznia e Shkodrës në futboll për femra është krenaria e futbollit shkodran, dhe jo vetem. Janë vetë rezultatet e arritura nga skuadra kuqeblu, q ë e kanë futur në histori këtë ekip, i cili pasditen e djeshme zyrtarizoi fitimin e titullit të 10-të kampion radhazi.

Kjo ka ndodhur pasditen e djeshme kur futbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka sfiduan rivalin direkt, Tiranën, duke e mundur me rezultatin 3-0. Autorë të golave për skuadrën kuqeblu ishin Megi Doçi, Matilda Gjergji dhe Gresa Berisha. Një ndeshje kjo e dominuar në të gjitha drejtimet nga ekipi i Vllaznisë, i cili në këtë ndeshje u mbështet nga tifozëria shkodrane, ndërkohë që në tribunën VIP ishin edhe autoritetet vendore, prefektja Majlindja Angoni dhe kryetari i qarkut Hilmi Lakti. Vërshëllima e fundit e gjyqtares kryesore të takimit ka bërë që në kampin kuqeblu të shpërthejë festa.

Me shumë emocione është pritur ceremonia e mbylljes së kampionatit, ku ish futbollisti kampion i Vllaznisë Bardhyl Jera, në cilësinë e antarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së i shoqëruar nga Endri Hyka, përgjegjës i futbollit femra në FSHF, që i dorëzuan ekipit të Vllaznisë medaljet përkatëse të titullit kampion. Natyrisht, që momenti më kulmor ka qënë ai kur kapitenia e Vllaznisë në futboll femra, Esmeralda Franja, ka marrë në dorëzim trofeun e titullit kampion, i dhjeti radhazi për këtë skuadër duke u futur në historinë e sportit shkodran dhe më tej.

Shpërndaje