Silvio Zhunior pritet të jetë goditja e madhe e Vllaznisë në merkaton e janarit. “Panorama Sport” zbulon se kur duhen edhe katër ditë nga mbyllja e transferimeve (31 janar), sulmuesi brazilian që luajti një sezon me shkodranët në Kategorinë e Parë (2018-2019) dhe shënoi 11 gola, ka rënë parimisht dakord me drejtuesit për t’u kthyer sërish te Vllaznia.
Zhunior ka qenë deri në dhjetor të vitit 2019 pjesë e klubit sllovak, Zlate Moravce, ku në 12 ndeshje të luajtura shënoi vetëm një gol. Zhunior nuk është preferuar titullar dhe kësisoji ka kërkuar largimin nga sllovakët.
Burime të sigurta në klubin shkodran konfirmojnë për gazetën se këto dy ditë sulmuesi pritet të mbërrijë në Shqipëri dhe të firmosë zyrtarisht kontratën me Vllazninë. Ardhja e tij blindon sulmin kuqeblu, që ka vuajtur për një “pykë”, edhe pse Jonuz afroi maqedonasin Simeon Hristov.