Përfshirja e artit të dijebërjes së xhubletës në UNESCO ka rritur vlerësimin dhe vëmendjen ndaj personave që e punojnë atë dhe Tole Elezaj Berishaj është shembulli më i mirë.
Përmes një ceremonie të veçantë të organizuar nga Bashkia Malësi e Madhe ku merrnin pjesë shumë të pranishëm, e cila nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar, ajo u nderua me titullin “Qytetare Nderi” nga kryetari Tonin Marinaj. Ai vlerësoi me nota të larta përkushtimin e gruas malësore në mbrojtjen e xhubletës, kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore kombëtare.Nuk mund të mungonin në këtë ceremoni as tingujt e lahutës së luajtur nga lahutarja e vetme grua Lumturije Nonaj.Tole Elezaj Berishaj njihet gjerësisht për kontributin e saj të çmuar në ruajtjen e traditës përmes punimit të xhubletës, tashmë pjesë e UNESCO-s.