Në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur letër-porosia, nga Italia për kandidatin e dorëhequr të Edi Ramës në bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.
Ky i fundit u denoncua publikisht nga PD se ishte i dënuar për drogë dhe vjedhje në Itali.
Letër-porosia e cila mësohet se ka mbërritur në 28 nëntor, konfirmon denoncimin e Partisë Demokratike, ku theksohet se Pjetri është proceduar penalisht për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas letër-porosisë, pas dënimit në vitin 2003, drejtësia italiane kishte rënë dakord që Pjetri të mos bënte burg, por të largohej nga Italia e të mos kthehej më.
Pas konfirmimit të akuzave, pritet që Valdrin Pjetri të thirret si i pandehur nga Prokuroria për ‘falsifikim formulari’, për dekriminalizimin.
Kujtojmë se Partia Demokratike publikoi dokumente, të cilat dëshmojnë se i zgjedhuri i Partisë Socialiste për kryetar të Bashkisë së Shkodrës Valdrin Pjetri, ka qenë i dënuar në Itali nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të substancave narkotike.
Një dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.