Viti ri shkollor 2021-2022/Ministrja Kushi mesazh urimi për nxënësit…

Shpërndaje

Nëpërmjet një video-mesazhi për fillimin e vitit shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit ministrja Evis Kushi u është drejtuar me një urim të gjithë nxënësve.

“Kënaqësia më e madhe për mua është që ju nesër do të nisni vitin e ri shkollor dhe do t’i mbushni klasat tuaja me gjallëri dhe dashuri.” – shprehet ministrja.

Ajo thekson se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë.

“Kjo zyrë më shumë se sa e imja është e juaja dhe do të jetë gjithmonë e hapur për çdo nevojë apo shqetësim tuajin,” – u thotë ministrja Kushi nxënësve të klasave të ndryshme që kanë vizituar ministren në zyrë.

Ajo u bën thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave anti-Covid.

“Siguria dhe shëndeti juaj është elementi më i rëndësishëm për të gjithë ne, prandaj lutja ime për ju është që t’i respektoni të gjitha masat në shkollë,”- nënvizon Znj. Kushi.

Në video-mesazh kanë përcjellë mesazhe të veçanta edhe nxënës të klasave dhe shkollave të ndryshme.

Ruajtja e higjienës dhe mbajtja e maskave, ishte një prej mesazheve, ndërkohë që janë përcjellë edhe disa nga risitë që vijnë këtë vit për herë të parë në shkolla, si anglishtja për klasat e para, arti e zejet, apo klasat sportive.

Ndërkohë që edhe nisma “Librat Falas”, vlera e periudhës së mësimit plotësues që nisi më 1 shtator, mesazhi i maturantit, si dhe rëndësia e kushteve të mira në shkolla për mbarëvajtjen e mësimnxënies, ishin ndër mesazheve të nxënësve.

Shpërndaje