Nga Ejëll Çoba:
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me radhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesëmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.
K A M P I
Kujtime të shkruara nga fillimi 1978 deri…
Atë natë, kur rashë me fjetë, fillova të ha pak bukë-fike, por uria ishte aq e madhe, saqë kafshatë – kafshatë i hëngra të dyja para se të më merrte gjumi. Të nesërmen, që ishte e diel, mendova të ngopem një herë e mirë me bukën e bleme, e me atë të racionit që na jepshin në mëngjes e u shtrova me një kuti pate. I hëngra të gjitha, por kot, se në ditët e pushimit uria ndihej edhe ma tepër. Po atë ditë u detyrova të blej edhe një çerek buke për drekë, e një çerek për darkë. Kush nuk e ka provue urinë, nuk mund ta besojë si mund të hahen 2.25 kg. bukë në një ditë dhe të kesh prapë uri.
Ajo ditë e diel na dha edhe një të papritun, Para drake na nxorën të gjithëve prej kapanoneve, mandej u futën skuadër-komandantat, që në përgjithësi ishin të burgosun ordinerë, e nën drejtimin e rojeve morën çdo ushqim që gjetën: gjalpë, vaj, sheqer, makarona, oriz, miell etj. Mue më kishin marrë vetëm atë kuti pate që më gjetën në valixhe, se pesë të tjerat, i kisha në strajcën që mbajsha gjithmonë me vete. Edhe kur shkojsha në nevojtore, e varsha në traversën e suazës së derës. Na thanë se me ushqimet e marruna, do të gatuhej një kazan special, për ata që gjatë javës kishin plotësue normën.
E në të vërtetë, para darkën a ndanë në dy grupe: nja 1000 veta, ata që kishin plotësue normën, i rreshtuen para kazanave speciale, kurse të tjerët, nja 500 veta, para kazanave special, kurse të tjerët, nja 500 veta, para kazanave me lang domatesh. Për çudi, normisti im më kishte shti edhe mue në listën e atyne që do të merrshin në kazanin special. Ai ishte një i burgosun ordiner prej katundeve të Korçës, i cili, sa herë kuptonte se do të merreshin masa kundër atyne që nuk plotsojshin normën, ma nxirrte normën të plotsueme.
Na radhitën për katër e na thanë të uleshim përdhe. Unë, skepitk, kisha zanë vend nga fundi i radhës. Para meje kisha Rrok Gerën, Musa Gjylbegun e Rrok Kolën, të tre ish – ministra. Të katërt kishim mendimin se nuk do të lejoheshim me hangër në kazanin special, e ruejshim rastin me na largue pa ra në sy. Pamë rojet që me skudër-komandantat po nxirrshin prej radhëve ballista, zogista, xhandarë, kulakë, borgjez, carista etj… Kur e pamë se numri i të përjashtemve po shkonte tue u shtue, u ngritëm e u larguem para se të na afrohej “komisioni i spastrimit”. Atëherë ndigjova zanet e skuadër-komandantave që thojshin: “Ministrat, ministrat”!
Në të ngrysun, mbas darke, shpesh dilsha në freski e rrijsha me Gaspër Palin, Pjetër Haxhinë, Musa Gjylbegun, Zef Nikën e ndonji tjetër, e aty në gjysëmerrësinë bisedojshim e inkurajojshim njeni – tjetrin. Shpesh vinte edhe Gjon Gjini, një kapterr xhandarmërie. Një herë, kur po kërkonte me na gjetë në mes të grumbujve të shembun e nuk shihte, filloi të thërriste:
Zef Nika, Zef Nika!
Kush asht ky që më kërkon? – tha Zefi e, kur u afrue Gjoni, i tha: – Ç’ke që vjen tue thirrë emnin tim?!
Jam ba, që kam inat emnin tim, e s’due të ma dijë kush! Zefi kishte plot të drejtë se vetëm skuadër -komandantat thirrshin me za të naltë të burgosunit që do të paraqiteshin te roja, sigurisht jo për të mirë
Ma e tmerrshmja ishte kur të zgjonte natën zani i ndonji skuadër-komandanti që, tue përshkue për së gjati kapanonin, tirrte emnin e ndonji rrezikziut që duhej të paraqitej në zyrën e rojes. Të gjithë ngrini veshët nga mbulesat e kuptojshin emnin e shokut të thirrun, bijshim prapë tue mendue: “Falë zotit s’qenka emni im”!.
Nata në kapanon ishte një ferr i vërtetë. Në gjumë njerëzit britshin nga dhimbjet e trupit të drobitun: “Ah, uh!”. Shumë vetave u ishte ba ankth puna, norma, prandaj edhe në gjumë thirrshin: “Lopatën, kazmën, karrocën, kanalin…”. Gjon Rakacolli përsëriste shpesh: “Ai kodosh Danti, të kishte ardhë këtu me përshkrue ferrin…”!
Nga fundi i verës erdhi një grup i vogël të burgosunish nga burgu i Durrësit. Të nesërmen njeni prej tyne më tha: “Ju s’punokeni vetëm ditën, por edhe natën!”
Kishte plotësisht të drejtë, edhe në gjumë na mundonte zekthi i punës. Me të vërtetë puna e fisniknon njeriun, por ja ajo e skllavit! Na i’a kishim kalue shumë skllavëve të piramidave! Nuk di deri ku asht për t’i besue, por një i burgosun që kishte qenë në një ‘lager nazist’ na thoshte se as atje nuk ishin torturue njerëzit, sa në Vloçisht!
Me të burgosunit e Elbasanit kishte ardhë në kamp një djalë i ri shkodran, Virtyt Gjylbegu. Ishte i biri i Hamid Gjylbegut, shkrimtar, njifarë filozofi, për të cilin Fulvio Kordinjano, kishte shkrue se në veprat e tij, kishte një fe të re. Jeta e tij shumë e gjatë e plot vuajtje e tregoi njeri me karakter të fortë. Një ditë, kur Virtyti nuk kishte dalë në punë mbasi ishte me raport të mjekut, dy – tri herë më ndodhi me pune afër Virtytit, pse edhe atë si mue nuk e lejojshin me pune me shokë që të mos shfrytëzojshim mundin e të tjerëve. U mundojsha me i dhanë kurajë, pse e shihsha shumë të dëshpruem, megjithse fliste pak dhe e mbyllte bisedën duke më thënë:
Ah, mor zotni Çoba, nuk mundem…!
Unë që jam 40 vjeç – i thojsha – po mundohem me i ba ballë, jo ti që je 28 vjeç! Por e shihsha se fjalët e mia nuk mjaftojshin, se përsëriste: “Nuk durohen, nuk durohen”!
S’shkoi shumë e një natë në gjumë, ndigjuem të shtime pushkësh. Të nesërmen mora vesh se Virtyti, mbasi ishte kthye prej pune, ishte la, pastrue e kishte veshë rrobat ma të mira që kishte.
Një roje, që e kishte pa ashtu të veshun mirë, me ton tallje, i kishte thanë:
Virtyi, mos do të lirohesh që qenke veshur si dhandër?
Po, do të lirohem – i ishte përgjigj me plot gojë.
Posa kampi kishte ra në gjumë, Virtyti, ashtu i veshun, kishte dalë prej kapanonit e u ishte afrue telave të kampit të ndriçueme prej llampadinave të shumta. Roja i kishte thirrë dy-tri herë: “Ndal, ndal!’, por Virtyti nuk ishte ndalë dhe kishte vazhdue me i’u afrue telave tue i thanë rojes: “Shtini!”.
Roja kishte zbatue urdhnin e marrun e Virtytit kishte ra i vdekun në çast.
Në mëngjes, ndër 1500 vetat që dolën në punë, askush nuk fliste!
Puna ishte ba shumë e randë. Lodhja i detyronte të burgosunit me gjetë çfarëdo mjeti e arsyeja për me pushue ndonji minutë. Shumë vetë, tue nxjerrë si shkak krymjen e nevojës, shkojshin mbas ndonji kaçubeje e aty, galuç, ndizshin një cigare a preheshin. Kështu një djalë dibran, nga fisi i Ndreut, një ditë ishte largue nga puna për tri-katër herë. Roja e kishte vrejtë dhe herën e fundit e kishte thirrë dhe e kishte pyetë:
Ku ishe?
Në nevojë – ishte përgjigjë.
Hajde të shkojmë te vendi ku ishe.
Dibrani, një djalë gati dy metra i gjatë, i kishte pri. Natyrisht, nuk kishin gjetë veç sa një kakërdhi. Roja e kishte detyrue të burgosunin ta merrte në dorë e ashtu në shuplakë të hapët e kishte sjellë në brigadë për t’ua tregue shokëve tue u thanë: “Shihni ç’kam ba!”
Në kamp ishte edhe Zafer Vila, i biri i Xhafer Vilës, që kishte gjetë vdekjen në aeroplanin që ra në Itali në udhëtimin e kthimit mbas martesës së Zogut. Zaferi ishte djalë inteligjent e me kulturë. Kishte qenë funksionar në Ministrin të Jashtme. Ishte optimist, një cilsi që në ato kondita pakkush nga ne vazhdonte me e ruejtë. Ishte i ri, i shëndetshëm dhe punës i bante ballë, pa u dorzue si shumica. Fjalën e kishte të rrjedhshme, të ngrohtë e shpesh bindëse.
Të dielave para darke, dilshim jashtë kapanoneve për të marrë pak ajër të freskët. Kur më ndodhte me u takue me Zaferin, shëtitshim pak së bashku e përpiqeshim, në bazë vetëm të lajmeve që lexonim në gazetë, me shpjegue politikën shqiptare e ndërkombëtare. Edhe mbas prishjes me Titon, unë nuk gjejsha elemente të mjaftueshëm për të formulae një mendim ngushëllues mbi të ardhmen tonë e të Shqipnisë.
Kurse Zaferi, bante disa arsyetime që në bazë të disa premisave, përfundojshin në një rezultat optimist. Mue përgjthësisht më pëlqente me ndigjue edhe mendimet e arsyetimet e të tjerëve, për me ndigjue edhe mendimet e arsyetimet e të tjerëve për me ballafaque me të miat, e mandej me zgjedhë. Megjithëse arsyetimet e Zaferit nuk më bindshin, më pëlqente me i ndigjue, e ndiejsha njifarë lehtësimi shpirtnor, e të thuesh një freskim.
Uji i pakët, lodhja, mungesa e ndrresave, urija, të gjitha së bashku kishin një atmosferë të tillë që njerëzia nuk kujdesej edhe aq për pastërtinë personale, e kur filloi vjeshta e të burgosunit filluen të visheshin me xhupa e me pallto, u shfaqën morrat.
Një natë do britma ma nxorën gjumin. Unë ngrita ndejun e pashë se në podin e parë kundruell meje, dy veta që flejshin ngjitë me njeni – tjetrin, përpiqeshin me i marrë nga dora një torbë një të treti, i cili e lëshoi dhe iku. Mora vesh se ishte një i burgosun, i ardhun prej një kapanoni tjetër, e se lehtas kishte zgjidhë torbën e bukës të varun te kryet, për t’i vjedhë bukën.
Uria ishte kaq e tmerrshme në kamp, sa u’a shtonte guximin të rijve me e shty veten me vjedhë. E çka me vjedhë?! Bukën e shokut, që nuk kishte ma shumë sesa i jepte kampi si racion edhe vetë vjedhësit!
Me gjithë mjerimin e papërshkrueshëm të jetës së kampit, kishte momente humori.
Një mëngjes, posa mora çajin në kazan e po drejtohesha për në brigadë për të qenë gati me dalë në punë, pashë dy veta të ulun. Ishin Alfred Ashiku e Gjergj Ashta. Më thirrën e më thanë:
Na e zgjidh ti, a asht ma mirë me hangër bukën tue e përcjellë me nga një hurm çaj, apo me e zbutë bukën pshesh në çaj?
Problemi qenka i vështirë, prandej përgjigjen do t’jua jap kur të kthehem prej punës – e vazhdova rrugën për ku isha nisë.
Kurse një shokun e mikut tim, Pashko Gjeçin, profesor letërsie e përkthyes i shkëlqyeshëm i “Komedisë hyjnore”, për shkak të trupit të tij tepër imcak nuk e futshin ndër grupe pune, por e ngarkojshin me punë ndihmëse të rastit. Më takoi njiherë me e pa tue transportue në shpinë një drrasë të lagun e të gjatë nja 4 metra. I shiheshin vetëm kambët profesorit të shkretë!
Kur ktheheshim nga puna, në grumbull, bashkoheshim. E pyetsha: – Si e kalove ditën?
Gjithmonë më përgjigjej – Mirë.
Kështu u përgjigj edhe atë natë që e kisha pa me drrasë në krah. Fillojshim menjiherë ndonji bisedë letërsie o arti. Unë kënaqesha tue e ndigjue, se më kalonte në një jetë irreale. Biseda me të ishte për mue një elizir, që ma hiqte krejt lodhjen. /Memorie.al