Vijon ikja pa kthim, BE dha 75 mijë leje qëndrimi në 2023; Në 15 vjet 920 mijë të larguar…

Shpërndaje

Ritmet e emigracionit të shtetasve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian janë përshpejtuar vitet e fundit dhe kjo reflektohet në numrin e lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna nga shtetet e BE-së.

Të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të parë (shifra është rishikuar në rritje me rreth 4 mijë persona, nga raportimi i një viti më parë).

Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leke qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore e rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me

Censin e mëparshëm të 2011. Në vend, sipas INSTAT tashmë jetojnë vetëm 2.4 milionë persona.

Vetëm ata që kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE për periudhën 2011-2023 ishin rreth 660 mijë persona, sipas të dhënave të Eurostat.

Lejet e qëndrimit në Europë

Sipas Eurostat, më shumë se 3.7 milionë leje qëndrimi të parë u lëshuan në BE për qytetarët jo-BE në vitin 2023, një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin 2022 dhe numri më i lartë i regjistruar deri më sot.

Punësimi mbeti arsyeja kryesore për dhënien e lejeve të qëndrimit në vitin 2023, duke zënë 33.8% (1.3 milionë) të të gjitha lejeve të qëndrimit të lëshuara, duke treguar një rënie modeste krahasuar me vitin 2022 (-0.4%; -4 662).

Arsyet familjare përbënin 26.4% (986 453) të të gjitha lejeve, duke reflektuar një rritje prej 6.4% (+58 943) krahasuar me vitin 2022. Arsyet e tjera, duke përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin pothuajse të njëjtën peshë (25.6%; 956 646), me një rritje prej 5.3% (+48 406). Arsyet arsimore përfaqësuan 14.3% (534 558) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit, duke përfaqësuar rritjen më të madhe të përgjithshme prej 13.5% (+63 674).

Në vitin 2023, numri më i madh i lejeve të qëndrimit për herë të parë iu dha qytetarëve të Ukrainës (307 313), të ndjekur nga Bjellorusia (281 279) dhe India (207 966)./Monitor/

Shpërndaje