Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ka dhënë një mesazh për qytetarët shqiptarë për zgjedhjet e 25 Prillit.
Në këtë mesazh, ambasadori Soreca thekson rëndësinë e votimeve dhe të një procesi të qetë dhe të lirë.
Mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje, thotë Soreca, do të ndikojë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Të dashur miq, sot është fundi i fushatës elektorale në Shqipëri. Nesër është një ditë heshtje dhe reflektimi. Prandaj do të doja të shfrytëzoja rastin për të drejtuar një mesazh përpara ditës së zgjedhjeve. Më 25 Prill ju keni fuqinë të vendosni se kush do t’ju përfaqësojë në Parlamentin e ardhshëm, kush do t’i bëjë ligjet që do të ndikojnë në jetën tuaj dhe kush do të vendosë për reformat e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Fuqia juaj demokratike qëndron te shprehja e vullnetit tuaj lirisht dhe me integritet në qendrën e votimit. Kjo është mënyra se si kujdeseni për komunitetin, familjen dhe të ardhmen tuaj.
Në këto zgjedhje fuqia juaj qëndron gjithashtu te zgjedhja e kandidatit të preferuar që do t’ju përfaqësojë. Ju nuk mund të anashkaloni këtë mundësi që zëri juaj të dëgjohet. Kjo votë është e juaja, askush nuk mund t’ju a marrë dhe askush nuk duhet t’ju a marrë. Përparimi i vendit tuaj drejt përparimit në BE do të varet nga zhvillimi si duhet i këtyre zgjedhjeve, duke përfshirë respektimin e rezultatit. Bashkimi Europian është këtu, duke qëndruar pranë Shqipërisë dhe duke e ndihmuar të realizojë ëndrrën dhe aspiratën e kaq shumë njerëzve në Shqipëri, t’i bashkohen BE-së.
Kjo është arsyeja pse ditën e zgjedhjeve ne do të jemi në terren me 50 ekipe të delegacionit të BE-së dhe të shteteve anëtare, për të qenë me ju për një zhvillim të lirë, të drejtë dhe transparent të zgjedhjeve. Që punojë për të gjithë, demokacia ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve. Votoni të dielën dhe bëni durim ndërsa presim rezultatet. Ti vendos”, është njoftimi i ambasadorit Soreca.