Sulmi ndaj një oficeri Policie që u njoftua si një konflikt banal me fqinjin, në fakt ishte një sulm i mirëfilltë kriminal që kishte si qëllim vrasjen e tij. Admir Okaj, aktualisht shef i rendit të Gramshit, rezulton të jetë goditur 3 herë me thikë pas shpinë, dy herë në qafë dhe një herë në shpatull. Ngjarja ndodhi të hënën në zonën e “Zdrales” në Shkodër dhe Policia tha se pas disa orësh autori, Ormir Gucia u arrit të arrestohej.
“ABC News” ka arritur të sigurojë pamjet e një kamera sigurie që ka fiksuar momentin e sulmit. Siç shihet nga këto pamje, oficeri Admir Okaj është duke biseduar me dy vajza, që pas saktësimit rezultoi të jenë mbesat e tij dhe në një moment, një person i maskuar me kapele dhe me syze vjen me vrap drejt tij dhe e godet disa herë me një objekt të fortë nga mbrapa.
Okaj, vetëmbrohet dhe nxjerr nga brezi një pistoletë që fillimisht ia drejton autorit, me qëllim për ta neutralizuar, më pas e godet në kokë me tytën e armës. Ky është momenti që arma ka bërë edhe qitje të pavullnetshme por pa dëmtuar njeri. Autori arrin të largohet me vrap. Admir Okaj pasi merr mjekim në spital, jep edhe dëshminë e tij. Kjo ngjarje është referuar në Prokurori si vrasje e mbetur në tentativë./abcnews/