VIDEO/ Shkodër, dy në pranga, kishin përshtatur lokalin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike…

Shpërndaje

Shkodër/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”.

Kishin përshtatur lokalin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, vihen në pranga 2 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 1 tavolinë pokeri, 2 makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra për lojën e pokerit.

Nga strukturat e Seksionit kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u organizua dhe finalizua me sukses operacion policor i koduar “Game Over”. 

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

R. P., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

S. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. Sh., 33 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. P., 29 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. 

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në një lokal në zonën e Vrakës, Boric i Madh, disa persona ushtronin veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit dhe shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtuar kontroll në ambientet e këtij subjekti.

Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke zhvilluar lojën e pokerit, të cilën po e organizonte shtetasi G.  Sh.

Gjatë kontrollit të ushtruar, në lokal janë konstatuar një tavolinë pokeri, dy makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra që përdoren për lojërat e fatit.  

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj personave që ndodheshin në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë, shtetasit S. M. i kanë gjetur një sasi të vogël me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa shtetasit R. P. iu gjet një sasi e konsiderueshme parash.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit u gjeten 9 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar: 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 1 tavolinë pokeri, 2 makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra për lojën e pokerit, 1 aparat celular dhe një shumë parash.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje