Një javë më parë në qytetin e Shkodrës, situata paraqitej shumë problematike, por tashmë numri i personave të infektuar është ulur dhe konstatohet vetëm një rast në ditë. Falë punë së ekipit të epidemiologëve në gjurmimin dhe izolimin e rasteve, më shumë se 50% e të sëmurëve janë shëruar.
“Si çdo vend tjetër që ka një kurbë të ecurisë të rasteve pozitive, edhe Shkodra e ka një kurbë të tillë, e cila ka kulmuar në përiudhën e fillimit të prillit dhe ka vazhduar pastaj edhe në mes të prillit. Tani kemi hyrë në kurbën e zbritjes pas pikut të kapjes së rasteve pozitive dhe themi se jemi në fazën e qetësisë”, tha epidemiologu, Iris Kaduku.
Por kush janë këto njerëz, të cilët larg familjeve të tyre dhe larg vëmendjes së mediave janë çdo ditë në vijën e parë “të luftës” në shërbim të qytetarëve.
Euronews Albania ka ndjekur ekskluzivisht një ditë në terren me këta heronj të heshtur në gjurmimin e një rasti të shfaqur pozitiv me COVID-19 në lagjen “Kiras” Kjo është Dhurata Hysa , shefe e Epidemiologjisë në Shkodër. Që pas shfaqjes së COVID-19, mënyra e jetesës ka ndryshuar së tepërmi.
Dita nis herët në mëngjes në gjurmimin e rasteve të infektuara e më pas verifikimi i tyre në terren.
“Pasi bëmë takimin e mëngjesit, grupi i punës u nis për në terren. Hetimi epidemiologjik direkt niset në terren në gjurmimin e rastit të identifikuar mbrëmë”, tha Dhurata Hysa.
Për pak minuta mbërrijmë dhe në banesën e të afërmve të të infektuarës në lagjen “Kiras” ku nis dhe hetimi epidemiologjik. Që prej shfaqjes së COVID-19 punojnë me orë të zgjatura dhe domosdoshmëri ka qenë distancimi nga familja për të shmangur çdo mundësi për infektim të mundshëm. Dhurata e ka një peng.
“Sa i përket familjes, sigurisht kam qenë pak e frikësuar që mos të dërgoja këtë infeksion në shtëpi, por kam reaguar duke u distancuar në dy banesa. Fëmijët dhe nënën e bashkëshortit i kam lënë në Shkodër, ndërsa vetë kam udhëtuar në Velipojë së bashku me bashkëshortin”, theksoi ajo.
Valbona me profesion laborante e ka nisur më herët se zakonisht ditën e punës. Pasi pajiset me veshjet e duhura për të shmangur kontaktin me virusin, Valbona kryen analizën e tamponit tek një paciente e dyshuar . Më pas laborantja i bashkohet grupit të epidemiologëve në terren për të marrë analizat tek qytetarët e dyshuar .
“Kjo është e përditshmja jonë, dalim në mëngjes dhe marrim listën e personave ku do të shkojmë nëpër shtëpi. Kujdesi është ai që të mbron, kujdesi është ai që të heq frikën”, tha Valbona Ndoja.
Valbona është çdo ditë në terren në kontakt me virusin e për pasojë frika për infektimin është e madhe, por serish ajo vijon punën në shërbim të qytetarëve . Puna për të tashmë është kthyer në mision.
“Me të thënë të drejtën është e lodhshme, sepse kemi edhe angazhime në familje që na pengojnë pak, por gjithsesi deri tani ia kemi arritur”, shtoi ajo.
Kjo situatë do kalojë por kujdesi është shumë i nevojshëm. Ndihma më e mirë që mund të japim ne ndaj këtyre heronjve si qytetarë është respektimi i rregullave që kjo situatë të kalojë sa më parë dhe të rikthehemi tek të dashurit tanë.