VIDEO/ Policia e Shkodres godet dy raste të kultivimit të bimëve narkotike…

Shpërndaje

DVP Shkodër/ Si rezultat i kontrolleve që kanë vijuar në terrene të zonave të thella malore dhe në ambiente të mbyllura, konstatohen dhe goditen 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, në Pukë dhe në Malësi të Madhe.

Zbulohet një ambient në fshatin Selcë, Malësi e Madhe, i përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.

Asgjësohen në total, 62 bimë cannabisi të kultivuara në tokë ose në vazo, qindra degë bimësh cannabisi, në proces tharjeje, dhe rreth 2.8 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, në formë boçeje.

Arrestohet autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, në Pukë.

Si rezultat i kontrolleve të cilat kanë vijuar nga toka dhe nga ajri, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, në terrene të hapura të zonave të thella malore të qarkut dhe në ambiente të mbyllura që mund të përshtaten për këtë veprimtari kriminale, u goditën 2 rastet që vijojnë:

-Në fshatin Selcë, Malësi e Madhe, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën të kultivuara në tokë 38 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në afërsi të vendit ku u gjetën bimët, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike. Nga kontrollet, në këtë ambient u gjetën qindra degë bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, si dhe rreth 2.6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë boçeje. Bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe për kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.

-Gjatë kontrolleve në fshatin Dom, Pukë, në afërsi të banesës së shtetasit A. L., shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën 24 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, si dhe 201 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi A. L., 24 vjeç, u asgjësuan nëpërmjet djegies bimët narkotike, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasia e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje