Shkodër/ Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtës pa leje.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Perash”.
Gjatë operacionit është goditur një rast i tentativës për shitje të farave të kanabisit, me qëllim kultivimi, një rast i shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Sekuestrohen 20 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 2000 fara kanabis, një armë zjarri pistoletë, dy automjete dhe 5 aparate celular
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, bënë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “Perash”.
Si rezultat e këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Artan Marku, 29 vjeç , banues në Perash, Shkodër,
Gëzim Sufaj, 45 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër,
Drilon Halihakaj, 21 vjeç, banues në Grudë Fushë, Shkodër ,
Dedë Frroku, 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër.
Shërbimet e Policisë kishin marrë informacioneve në rrugë operative se shtetasit A. M., G. S., D. H., në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, kishin bërë gati lëndën narkotike për ta shitur.
Gjatë ndërhyrjes shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasit e lartpërmendur, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
20 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri tip pistoletë, 2 automjete dhe 3 aparate celular.
Operacioni ka vijuar me goditjen e një tjetër tentative për shitje të fareve të kanabisit, si rezultat i të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi D. F., 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër, të cilit shërbimet e Policisë gjatë kontrollit i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2000 fara të dyshuara kanabis dhe 2 aparate celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.