Vllaznia vihet e vetme në ndjekje të dyshes së kreut, duke u ngjitur me 16 pikë, 5 larg Tiranës, pas fitores 1-0 ndaj Laçit në ”Loro Boriçi” në një ndeshje që u luajt mes reshjeve të shiut dhe ku pavarësisht dominimit të vendasve, mund të ishte barazuar në fund.
Për vetë renditjen, të ndara nga një pikë, e formën e ekipeve në Loro Borici u luajt me karta të hapura deri kur bardhezinjtë e kuptuan se nuk mund tia dilnin ballazi kundërshtarit. Shkodranët ishin të papërmbajtshëm dhe kërkuan që në fillim të shënonin për të zgjidhur ndeshjen, por Latifi e Aralica humbën raste të pastra shënimi, duke tërbuar Brdaric në pankinë. Laci përdori kundërsulmin dhe me Guindon edhe mund të bënte keq, por në anën tjetër intensiteti i kuqebluve ishte për tu admiruar me shtyllën të goditur në fund të pjesës së parë nga Aralica.