Policia e Shtetit vijon megaoperacionin policor antikanabis i koduar “Fokusi”.
Gjatë kësaj jave, kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në Thumanë, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë.
Në operacion janë angazhuar 4000 punonjës policie dhe janë përdorur 20 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, janë asgjësuar në total 10 106 bimë narkotike cannabis sativa.
Si autorë të dyshuar të rasteve të evidentuara, janë arrestuar 2 shtetas, janë shpallur në kërkim 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, nga këta 3 kryetarë fshatrash dhe 2 inspektorë pyjesh, ndërsa 1 shtetas është proceduar për moskallëzim krimi.
Në malësinë e Krujës dhe në Thumanë, si rezultat i fazës së 37-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 6000 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.