
Në takimin për prezantimin e programit të Partisë Demokratike për “Shqipërinë Madhështore” në fushën e sporteve, Matilda Matija, menaxhere e ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë, ngriti shqetësimin për neglizhencën që sporti shqiptar ka përjetuar ndër vite.
Ajo theksoi se sporti, veçanërisht ai i femrave, është lënë në harresë, duke e akuzuar qeverinë aktuale për mungesë mbështetjeje dhe degradim të mëtejshëm të këtij sektori.
“Jam këtu si përfaqësuese e një prej sukseseve më të mëdha të sportit shqiptar. Faleminderit që më në fund po hidhni sytë nga sporti, i cili ka qenë i harruar për vite me radhë, sidomos nga kjo qeveri që po e çon në gremine,” u shpreh Matija.
Një ndër çështjet kryesore të ngritura prej saj ishte mbështetja për lojtarët elitarë, duke theksuar se platformat ekzistuese të aplikimeve nuk i marrin në konsideratë nevojat reale të tyre.
Takimi u zhvillua në praninë e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe përfaqësuesve të tjerë të PD-së, të cilët prezantuan vizionin e tyre për zhvillimin e sporteve në Shqipëri./RealitetiPost/
