Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat e COVID-19 në vend.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi në mbledhje se ka një përmirësim të situatës por nuk jemi aty ku duhet. Ky përmirësim sipas saj tregon se masat kanë qenë efikase, por do të mbeten të njëjta deri në javën e ardhshme kur do të gjykohen sërish nga komiteti në varësi të situatës.
“Nga këto të dhanë të përgjithshme dhe nga një analizë që u bë në mbledhjen e komitetit dhe shkaqeve që kanë çuar në një përmirësim të lehtë të situatës, pavarësisht se kemi një rënie të pozitivitetit të testimit, ai nuk është në ato vlera ku duhet…mendojmë që masat kanë qenë efikase dhe ky rezultat vjen edhe si bashkëpunim i mirë të një pjese të qytetarëve për ato masa për të cilat asnjëherë nuk jemi lodhur së thëni. Një nga arritjet më të mëdha të këtyre javëve ka qenë fushata e vaksinimit. Shqipëria në 10 ditëshin e fundit, ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit, duke ia kaluar jo vetëm Italisë dhe Greqisë por edhe Serbisë që mbante vendin e parë.
Megjithatë këtyre arritjeve, situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe mendohet që masat të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel. Nuk propozohet asnjë ndryshim masash. Do mbetet në fuqi ora policore”, deklaroi Rakacolli.
Ajo tha më tej se baret dhe restorantet do të punojnë deri në orën 20:00. “Do të kemi vazhdimësinë e mësimit online dhe të shkollave të mesme, me përjashtim të maturave, duke u monitoruar në mënyrë të kujdesshme. Dhe fluturimet me Britaninë e Madhe edhe për këto dy javë mbeten të pezulluara. Rekomandohet që të respektohet dhe të ngelet në fuqi vendimi për ndalimin e grumbullimeve, jo më shumë se 10 veta”, tha Rakacolli.