Kandidati i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci ka publikuar në profilin e tij në fb, spotin e parë elektoral te kësaj fushate. Nëpërmjet zërit të banorëve të Kelmendit, ai ka folur për punën e bërë prej tij në krye të FSHZH për rikonstruksionin e plotë të rrugës e cila i dha një hov të paimagjinueshëm turizmit në skajin më verior të vendit. Në postimin shoqërues të spotit, Beci shprehet në dialekt:
“Gjatë gjithë jetës sime profesionale, jam kujdesë me folë me njerëzit, me mësu prej tyre, me u bë bashkë, duke besu se veç ashtu mund ta realizojmë si duhet punën.
Faleminderit secilit prej tyre, besimi që më kanë dhënë ka qenë në fakt përgjegjësia më e madhe.
Sot dua t’ju prezantoj me Besnik Pepushaj. E kam taku disa herë kur diskutonim ndërhyrjet në Kelmend. Më vjen mirë të shoh sesi ai me gruan e djalin po çojnë para bujtinën e tyre, në Lepushë, ku natyra e bujaria hap krahët për qindra turistë që po shtohen çdo vit”.
Nga stafi i kandidatit socialist, bëhet e ditur se spote të ngjashëm që evidentojnë punën e tij në terren, do të publikohen në ditët në vijim.