Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Për pasojë humbi jetën roja i sigurisë, Pal Kola. 60 vjeçari po ngrohej brenda kabinës në momentin kur e ka kapur breshëria e plumbave.
Nga të dhënat paraprake, autorët kanë lëvizur me një automjet tip Range Rover, i cili rezulton se është vjedhur në Shkodër. Plumbat janë derdhur në katin e parë dhe dytë të godinës si edhe në kabinën ku ndodhej roja, i cili mori një plumb dhe ndërroi jetë pak minuta pas ngjarjes së rëndë.
Mesohet se kanë qenë tre persona në makinë. Mjeti Range Rover u gjet më pas i djegur në Golem, brenda të cilit ndodheshin edhe dy kallashnikov. Gazetarja raporton se një nga pistat kryesore që po heton policia është ajo e goditjes për shkak të fjalës së lirë.
Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që ngjarja është shkaktuar si pasojë e një konflikti të mundshëm për shkak të pronësisë.