Janë publikuar pamjet filmike, për ngjarjen e rëndë me dy viktima, të dy ditëve më parë në Kavajë, ku shfaqen Sali Rexha dhe Armand Gosa duke debatuar me njëri-tjetrin përpara se të vriteshin, njëri me plumba pistolete e tjetri me goditje thike mbrëmjen e 29 marsit.
Sikurse shihet qartë nga pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga News 24, Sali Rexha që më herët ka pasur emrin Altin, po ecte me fëmijën për dore kur pranë tij kalon me biçikletë, Armand Alias Edmond Gosa.
Sapo shohin njëri-tjetrin, ata ndalohen dhe fillojnë të debatojnë. Siç rezulton nga pamjet, qytetarë të rastit ndërhyjnë për t’i ndarë, por pavarësisht kësaj, Sali Rexha nxjerr nga brezi armën pistoletë dhe e mbush.
Debati mes tyre sa vjen e bëhet më i ashpër. Megjithatë pas shumë përpjekjesh qytetarët arrijnë t’i ndajnë nga njëri-tjetri dhe të dy në pamje të parë vijojnë rrugën e tyre. Por nuk ndodh kështu. Referuar dosjes hetimore, rezulton se Edmond Gosa e ka ndjekur më pas me biçikletë Rexhën. Ndonëse minutat kalonin nuk duket asnjë shenjë e uniformave blu.
Sipas dinamikës, të dy ritakohen dhe është Sali Rexha që qëllon mbi Gosën, teksa është rrezikuar edhe jeta e fëmijës së mitur. Gosa u plagos me 4 plumba. Për shkak se ishte trup me fizik të fortë, edhe pse i plagosur, ai nxori thikën dhe godet 11 herë Sali Rexhën. Megjitatë, të dy ndërruan jetë.