Shënohen 8 raste të reja me Covid-19 në vendin tonë në 24 orët e fundit.
Në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast.
Kështu numri total i të infektuarve në territorin e Republikës së Shqipërisë shkon në 850 raste.
Në daljen e përditshme nga ISHP, Eugena Tomini bëri me dije se qysh nga fillimi i epidemisë janë bërë rreth 10 000 testime.
“Gjatë këtij muaji është trefishuar numri i testimeve. Aktualisht kemi një indikator pozitiviteti nën 5 %, një indikacion shumë i mirë lidhur me kontrollin e virusit. Gjithashtu janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID19” – tha Tomini.
Të shëruar – 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID19.
Në spital – Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Lehtësimi i Masave – Nga data 27 Prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së ri-hapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar në tregues të matshëm.
Lehtësimi i masave do të vijojë nëse do të kemi këtë situatë të qëndrueshme ku përllogaritet mesatarja e rasteve të reja, të shtruarit në spitale dhe pacientët në terapi intensive.
Të nderuar qytetarë, pavarësisht situatës inkurajuese, funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave do të varet nga ju.
Nese ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, ne do të vazhdojmë me lehtësimin gradual të masave sipas strategjisë së miratuar.
Nëse keni shenja të sëmundjes Covid-19, ju lutem telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.