Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë identifikuar vetëm 2 raste me COVID-19 numri më i ulët i rasteve që nga nisja e epidemisë në vendi tonë.
Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit publik bëri me dije se në 168 teste të kryera vetëm 2 kanë rezultuar me COVID-19.
“Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë. Janë testuar 168 qytetarë si të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës.
Të shëruar janë 12 qytetarë. Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.
Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend. Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë.
Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu”, tha znj. Tomini.