Vetëm 13.1% e atyre që u hiqet patenta, e rifitojnë atë – DPSHTRR: Procedura, riregjistrim nga e para në autoshkollë…

Shpërndaje

Është zhvilluar sesioni i radhës i ritestimit për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur lejen e drejtimit për shkak të shkeljeve të rënda të Kodit Rrugor.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimve të Transportit Rrugor, rezultatet e këtij sesioni tregojnë një përqindje të ulët suksesi. Në këtë sesion, janë riregjistruar gjithsej 52 kandidatë, por vetëm 32 prej tyre u paraqitën fizikisht për të dhënë provimin. Nga këta, vetëm 8 kandidatë arritën të kalojnë me sukses testin dhe të rifitojnë të drejtën për të drejtuar mjetin.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që prej nisjes së kësaj fushate në qershor të vitit 2022, janë riregjistruar gjithsej 1,994 kandidatë në autoshkolla, por vetëm 263 prej tyre ose 13.1% kanë rifituar lejen e drejtimit, duke u rikthyer në rrugë si drejtues më të ndërgjegjshëm. Ndërkohë, këto rezultate dëshmojnë nivelin e lartë të vështirësisë së testit, për t’u rikthyer në rrugë si drejtues mjeti.

Gjithashtu, DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve të përgatiten siç duhet përmes Programit të Normave të Sjelljes dhe të ushtrohen me simulime online të testit teorik, për të rifituar lejen e drejtimit.

Shpërndaje