Nga Besi Bekteshi
Ka vite që me Voltana Ademin që bashkëjetohet mes administratës demokrate dhe kryetarit të tillë në Shkodër dhe Këshillit Bashkiak socialist!
Është eskperimenti më i çuditshëm, por dhe për tu studiuar si një filozofi groteske bashkëpunimi të forcave politike kundra deri në antagonizëm absurd politik, por që në fakt nuk kanë asgjë të një absurdi të tillë në ditë vendimesh dhe ngritje dore. Si me Voltanën dhe me Bardhin, Këshilli Bashkiak Socialist voton buxhete!
Sigurisht një nga arsyset është se nuk duan të penalizojnë qytetin dhe administrimin e tij dhe kjo ju bën nder! Por aryseja tjetër është dhe një lloj konformizmi si “ceitnot” politik i socialistave. Por unë nuk e kam fjalën këtu. Më tepër doja të kuptoja në mbledhjen e fundit për buxhetin kush është dallimi real mes Voltanës dhe Bardhit.
Sigurisht kanë dallim, sepse minimumi Bardhi nuk ka sjellë në mes të qytetit dhe njerzve, lodra që ulurijnë, pengojnë rrugën në ecje qytetarit dhe ka bërë disa veprime të vogla dhe gjysëm të trembura në favor të rregullit. Po, por unë e kam fjalën te filozofia dhe mentaliteti tashmë shumë vjeçar, ose i një pushteti 32 vjeçar të PD-së në Shkodër. Po po dhe për pak vite arrijnë pushtetin 45 vjeçar të diktaturës si monokolor në Shkodër.
Para dy ditësh ishte një moment i rëndësishëm për komunitetin e Bashkisë Shkodër. Pra ishte dita e diskutimit të buxhetit 2023 dhe atij afatmesëm 2023-2025. Buxheti është dokumenti më politik në një institucion publik pasi aty materializohen (ose jo) të gjitha diskutimet e pikëpamjet politike. Ishte buxheti i parë i paraqitur dhe mbrojtur nga kryetari i ri i zgjedhur, por për pak kohë në dispozicion ( e me sa duket kandidat për kryetar me mandat te plotë i një pjese të PD-së).
Fatkeqësisht nga një regjistrim (unë kisha pritshmëri të mëdha nga Spahija) mbledhja ishte një përvojë zhgënjyese, një paraqitje e shkurtër dhe e thatë, duke kërkuar kudo ishte e mundur (shpesh në mënyrë të sforcuar) kritikën ndaj qeverisë qendrore. Ç’është më dëshpëruesja, nuk arrije të kuptoj asnjë lloj vizioni si e sheh, ose si e ka pikërisht vizionin Kryetari i Bashkisë Shkodrën në 2023 (apo deri në 2025) vit deri në të cilin është dokumenti i buxhetit.
Një përshkrimi errët i situatës, duke vënë ne pah vështirësitë, mungesën e bashkëpunimit me qeverinë qendrore, braktisjen…!!!
Pra gati gati, pati dorëzim pa kushte , kapitullim. Një diçka që po më ngjante si dy pika uji me të dikurshmen e paraardhëses së tij. Mu duk dëshpëruse! E çfarë dilte si e thënë kryesore apo konkluzion kryesor? Po ishte patetizmi kronik – nuk bëjmë dot asgjë sa kohë te jetë kjo qeveri në pushtet, kismet kur të vijë e jona (që duke parë si është situata mund të mos vijë ashtu sikundër e do zoti Spahija ose nuk i qëllon të vijë, sepse nuk ka mundësi elektorale dhe në votim), do të bëhet më mirë. Por sigurisht ishte patetizmi i modelit tashmë i sëmurë në Shkodër që thotë: na votoni ne, se ne kemi talent për hartimet se si qeveria persekuton Shkodrën.
Patetike kjo e një cinizmi tashmë të sëmurë! Cinike sepse si thotë Oscar Wilde te Dorian Gray – cinizmi është arti i sotëm që shikon gjërat si janë dhe jo si duhet të jenë! E si janë gjërat në Shkodër, kuptohen qartë te partia e zotit Spahija dhe marrëdhëniet e saj në politikën shqiptare dhe me Shkodrën prej 32 vitesh. Ata janë dhe cinizmi tyre është më “profesionali në Shqipëri”!
Një pyetje e vetme shumë e thjeshë e një anëtari të Këshillit, specialist në shëndetësi në lidhje me buxhetin e bashkisë për infrastukturën e qendrave shëndetësore e nxori mbretin të themi “lakuriq”.
Së pari administratës së Bashkisë iu desh 15 minuta pushim që të përgatitej për përgjigjet. Mirëpo kush shkon në mbrojtje buxheti pa ditur sa ka qenë buxheti i të njëjtit zë vitin e shkuar dhe sa është realizuar ai? Pyetje është dhe kjo, por e kalon cakun e retorikës, sepse është diçka jashtë konceptit bazik për buxhetin.
Së dyti, u kuptua që buxheti edhe aq vogël sa është, nuk arrin të zbatohet, nuk kishte asnjë investim të realizuar në shëndetësi në 2022. Pse kërkon me insistim më shumë buxhet, kur nuk arrin të realizosh as atë “pak” që ke? Pra është dhe kjo pyetje.
Së treti, Kryetari me sa duket krejt i paqartë për funksionet ligjore të qeverisjes vendore, filloi të merrej me spitalin e Shkodrës dhe lënien e tij pas dore nga Qeveria e Tiranës. Kush bën 6 muaj në një punë pa lexuar një herë dokumentet se për çfarë është aty? Te spitali pra!? Mjaftojnë kronikat televizive dhe një interesim i vogël. Pak çështje të tjera të ngritura nga Këshilltarët në lidhje me mungesën, cilësinë apo zvarritjen e investimeve nuk morën kurrë përgjigje. Unë kam kritikuar shpesh këshilltarët socialistë pse i bënin fresk kryetarëve demokratë, por…?!
U përpoqa ta shoh situatën me sytë e administratës së bashkisë dhe një pjese të votuesve , me lentet e persekutimit qeveritar. Fokusin që qeveria nuk investon në Shkodër. Mund të them me siguri se ndërsa fjalë si persekutim e diskriminim janë fjalë të rënda, qeveria me siguri mund të kishte bëre më tepër për Shkodrën. Por, nga ana tjetër a i ka bërë Bashkia detyrat e veta të shtëpise, që të jetë kaq e zëshme në ankesat ndaj qeverisë Qëndrore? Gjërat e vogla pra!!?
Pak shembuj nën hundën tonë!? Bie fjala trotuari ne krah të Teatrit Migjeni i mbushur me rroba e këpucë të vjetra që shiten në tokë. Bashkëjetesa e tempullit të kulturës me këtë lloj tregu të improvizuar, nje realitet i harruar tashmë në çdo qytet shqiptar. Për çfarë i duhet Edi Rama kryetarit të Bashkisë Shkodër për ta liruar atë trotuar? Në fakt ka që me pushtetin e demokratëve ai trotuar ashtu dhe me sa duket asnjëherë nuk do lirohet.
Po një ( i vetëm rreziku) autobuz urban që zvarritet thuajse bosh, rruga plot me makina dhe të moshuar e të rinj në bicikleta që përpiqen të gjejnë rrugë kalimin sa më pak të rrezikshëm e duket se nuk ka vend për to. Në Shkodër, në 2022 nuk ka asnjë korsi si duhet biçikletash. Ato që janë, sigurisht janë tallje dhe gabim logjik në trafik. Prap Rama i duhet Kryetarit të Bashkisë Shkodër për të bërë një korsi të vetme të mbrojtur biciklete në një qytet me mijra përdorues të biçikletës?
Kosha plehrash të tejmbushur (sasia e tyre e diskutueshme) me mbetje në qendër e periferi të qytetit. Për aq sa lejojnë plehrat të duken, koshat ngjajnë të ndryshkur dhe janë të prishur. A e pengon qeveria e Tiranës kryetarin e Bashkisë Shkodër të menaxhojë siç duhet pastrimin e qytetit, hapin më bazik të menaxhimit të mbetjeve? Po mirë, pse nuk ka një zbukurim feste Shiroka ose hyrja e Shkodrës, për çfarë ka nevojë Tirana dhe qeveria qëndrore për këtë gjë?
Po si dreqin nuk ka lyer disa pallate vetë bashkia ( pa projekt fare, thjesht pse do të lyejë qytetin) për të thënë: ne nuk na ndihmon Rama, por e lyejmë vetë? Po më vjen mirë se ka vendosur dy projektorë që lëshojnë ngjyrë blu me të bardhë ( si flamuri Partisë jo i Vllaznisë) anash Bashkisë dhe vetë bashkinë e ka bërë me drita më shumë se Voltana. Po dhe disa llampadarë në lulishten përballë! Po po i ka bërë!
Në fund të kësaj mbledhjeje ndjesia që pata ishte shumë e qartë. Katër vite të tjera me sa duket dhe kryetari i sotëm po të marrë mendat, do të jenë njësoj: pak profesionalizëm, shumë zhurmë dhe ankesa, shumë politikë, pak e aspak punë. E ardhmja do të jetë një “déjà vu” ngjyrë gri si pasdite e gjate dimri.
Lajmi i mirë është: ky është buxheti i fundit që miratohet në këto mandate të çuditshëm të qeverisjes vendore, në Shkodër, dyfish më i çuditshëm se kudo tjetër, në vend. Një kryetar që u zgjodh i vetëm e nuk e mori kurrë mandatin, një kryetare që nuk i mbaronte kurrë mandati, një kryetar që po i mbaron mandati pa pasur kohë të kuptojë mirë për çfarë është mandati.
Pa harruar një këshill aq plot me socialistë, sa nuk e besuan as vetë deri në fund. Zgjedhjet vendore janë te dera, të shpresojmë se mbase ka ardhur koha për një kryetar apo kryetare që e ka mendjen çfarë do të bëjë nesër për Shkodrën, jo cfarë do të bëjë kur të bjerë qeveria “armike”nga fiku. Po për drejtues që nuk janë cinikë të së keqes së gjërave që janë dhe që ashtu do të rrinë. Por të ndryshimit të pikërisht gjëndjes ku Shkodra është sot.