Vendos roveshata e Shtubinës, Vllaznia mposht Skënderbeun në Korçë

Vllaznia ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe ia ka dalë ta bëjë një gjë të tillë në një transfertë të komplikuar siç është ajo e Korçës, përballë Skënderbeut vendas. Shkodranët kanë mundur korçarët me shifrat 1-0 falë një goli të Shtubinës me roveshatë në pjesën e dytë.

Ka qenë një fitore e merituar për ekipin shkodran që e sheh veten të largohet nga zona e rrezikut në renditje, duke zhytur atje pikërisht skuadrën e Dajës që regjistron dy humbje radhazi. Shkodranët kontrolluan lojën duke mos lejuar raste të rrezikshme nga kundërshtarët e duke thumbuar herë pas here portën e Koliçit.

Ekipi vendas krijoi shumë pak në këtë duel dhe largohet nga fusha kokulur, duke vazhduar një javë të vështirë që nisi si mos më keq me bojkotin për rrogat e që tani e sheh këtë skuadër të rrezikojë në zonën e ftohtë të klasifikimit.